Shefi i Hetimit të Aksidenteve në Vlorë Myslym Ismailaj, sipas policisë së Vlorës ka tentuar të manipulojë ngjarjen e aksidentit të Kristi Panajotit në rrugën e Lungomares. Sipas burimeve policore ai ka hyrë në ambjentet e dhomës së spitalit ku gjendej i aksidentuari dhe i ka kërkuar të riut të deklarojë se ka probleme me shikimin. Vetë i akuzuari nuk e ka pranuar këtë fakt duke thënë se kishte shkuar për arsye personale në spital dhe jo për të takuar të riun e plagosur.
”Sektori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Vlorë, sot në orën 04:00, ka arrestuar punonjësin e Policisë Komisar Myslym Ismailaj, 55 vjeç, me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Ngjarjeve të Qarkullimit Rrugor pranë D.V.P. Vlorë.
Punonjësi i Policisë Myslym Ismailaj në cilësinë e Oficerit të Policisë Gjyqësore (OPGJ) ka kryer veprimet proceduriale, lidhur me ngjarjen e ndodhur në datë 26 nëntor 2016, në rrugën pranë Ujit të ftohtë, në qytetin e Vlorës, ku humbi jetën shtetasi Kristi Panajoti 18 vjeç.
Sipas hetimeve, në datë 29 nëntor 2016, rreth orës 10:00, Ismailaj ka hyrë në ambientet e dhomës së spitalit ku ndodhej i shtruar shtetasi i plagosur në aksident P.B. dhe pasi ka nxjerrë familjarët nga dhoma, i ka kërkuar këtij të fundit të deklarojë se ka probleme me shikimin.
Kjo për të devijuar hetimin, se shkak i aksidentit ka qenë shikimi i dobët i drejtuesit të mjetit dhe jo mungesa e sinjalistikës rrugore në vendin e aksidentit, duke ushtruar presion ndaj të riut dhe tentuar të favorizojë firmën e ndërtimit të rrugës.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës’’, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga nenet 248, 301 dhe 245/1 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e plotë të Policisë.
Gazetari Enrik Mehmeti sqaronte aksidentin e ndodhur mbrëmë në emisionin ”Opinion”. Ai tregon sesi gropa e hapur në rrugë u bë shkaktare e marrjes së jetës së të rinjve.