Kryeministri Edi Rama flet i pari në Kuvend për buxhetin që pritet të diskutohet sot gjatë të gjithë ditës. Rama ka theksuar veprimin e qeverisë për të hequr nga dora e saj 580 milionë dollarë e për t’i çuar në drejtim të familjeve. ”Ne kemi një 3.3 dhe 3.5% do rritet këtë vit dhe do vazhdojë të rritet çdo vit”, parashikoi Rama lidhur me rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin e ri buxhetor.
”Për të vendosur rregull në llogaritë e shtetit duke ulur gradualisht borxhin publik, ky buxhet është një arritje shumë e rëndësishme pas përpjekjesh të mëdha dhe mundimesh jo të vogla.
Spostimi i 100 milionë dollarëve nga arka e shtetit në arkën e familjeeve të këtij shteti. Në 8 vjetet e qeverisë së shkuar u spostuan 124 milionë dollarë, ndërsa vetëm me këtë buxhet ne spostojmë 100 milionë dollarë ndërkohë që përmes uljes së taksës mbi të ardhurat personale, kemi spostuar 440 milionë dollarë në harkun e 4 viteve që do të thotë që kjo qeveri dhe shumica e këtij paralamenti kanë vendosur të heqin mbi gjysmë miliardë nga dora e shtetit, saktësisht 540 milionë dollarë. Kjo shifër nuk përfshin rritjen e rrogave të policisë së shtetit, ç’ka e çon 580 milionë dollarë.
Na është dashur të shlyejmë një mal prej 720 milionë dollarësh të fshehura borxhesh.
1.1 miliard dollarë borxhi tjetër i akumuluar nga OSHEE në 6 vjet nga 2007 deri në 2013, na u desh të përballemi me një krizë të vërtetë financimi të kantiereve të hapur të rrugëve.
D.m.th ka bërë dhe 1 mijë kilometra të tjera pasi është larguar nga qeveria. E vërteta është se qeveria e vjetër tenderoi 2005-2013 1744 km rrugë, pra jo 10 mijë, jo 11 mijë, po saktësisht 1744 kilometra rrugë, përfshi Rrugën e Kombit që u bë pa tender fare, likujdoi vetëm 34% të vlerës financiare të kontraktuar.
I munguan 1.55 miliardë dollarë , që do të thotë që çdo buxhet i miratuar nga ky Parlament e shtyu Shqipërinë një hap më pas, duke e çuar në vitin e mbrapshtë 2013.”, tha mes të tjerash Rama.
Rama ka shigjetuar me fjalën e tij kritikët e reformave të saj financiare.
”Parashikuan një skenar grek, parashikuan uljen drastike të konsumit, parashikuan deflacionin që u mbiu në gjuhë disa kohë që do rezultonte fatale për qeverinë që do përfundonte si PASOK-u, po ja ku është qeveria dhe do të jetë në krye të qeverisjes së saj.”, komentoi më tej kreu i qeverisë.
Kurse për nivelin e taksave Rama u shpreh: ”Tani qeveria e vjetër na akuzon se kemi rritur taksat për të pasurit, a thua se ka bërë ndonjë zbulim. Asnjë zbulim, asnjë sekret dhe kush merr më shumë paguan më shumë, kush merr më pak paguan më pak dhe janë 97% e shqiptarëve që paguajnë më pak taksa se 3 vite më parë.”
”Në vitin 2017 ne do të zgjerojmë listën e ilaçeve të rimbursueshme për 600 mijë shqiptarë. Doni shëndetësinë falas? E kuptoni ça është shëndetësia falas? 52 milionë dollarë investime në shëndetësi, nga këto 31 milionë i investojnë kompanitë partnere përmes të ashtuquajturave të mallkuarat koncensione.
Shteti sot nuk investon dot më shumë se 21 milionë dollarë drejtpërdrejtë. Kaq ka për shëndetësinë. Nuk merr dot, edhe nëse do merrte do ishte një hile, se do ia merrte njerëzve. Atëherë si i bëhet ndryshe për të rritur investimet dhe siguruar ato shërbime aq të domosdoshme? Ja pra i bëhet kështu si e bën gjithë bota e përparuar: kompanitë thirren në partneritet, jo për të dhënë paratë e shtetit por për të investuar menjëherë një para që shteti nuk e ka, për të siguruar ato investime që shteti nuk i ka dhe shteti shlyen në harkun e 7-10 viteve sipas marrëveshjeve këto investime. Mjafton të shikoni partneritet Publik-Privat që bën Gjermania, vendi më i fuqishëm në Europë e deri te Turqia.. ”, tha më tej për shëndetësinë kryeministri.
”Ne shqiptarëve u kursejmë 384 milionë dollarë, arka familjare bëjnë apo s’bëjnë mbi 1 miliard dollarë që shteti përmes kësaj qeverie ua ka lënë njerëzve dhe nuk i merr në arkën e tij?!”, përfundoi Rama.
