NGA ALFRED PEZA*
Ndërsa po kthehesha nga Kukësi pas një aktiviteti pune, përgjatë Rrugës së Kombit lexova në portale, diçka krejt të beftë: Andrea Stefani ka ndërruar jetë! Mbylla celularin dhe telefonova një koleg gazetar, mik i përbashkët që shkruan aty dhe e pyeta se mos ajo që ish thënë për Ndriun, qe ndonjë gabim aksidental njerëzor. Ose ndonjë shaka pa kripë e përdoruesve të rrjetit. Duke besuar se lajme të tilla kanë dalë herë pas here për njerëz të shquar apo të njohur. Jo vetëm në Shqipëri por edhe kudo në botë.
Në mendje më erdhën lajme të tilla jo vetëm për Vaçe Zelën apo Demir Hyskjen që u shpallën të vdekur nga gazetarët, ndërsa ishin ende gjallë. Apo njoftimet false për vdekjen e futbollistëve Lionel Mesi, Valbuena, basketbollistit Lamar Odom, e deri tek artistët e famshëm si Kesha apo Usher. Madje si për ironi të fatit, as manjati i medias Rupert Murdok nuk i ka shpëtuar dot kësaj sindrome. Duke mos harruar, deri edhe gabimin fatal teknologjik të rreth një muaji më parë, ku rrjeti i njohur social Facebook shpalli të vdekur miliona përdorues të tij anembanë globit.
Por fatkeqësisht, asnjëra prej hamendjeve të mia, nuk ishte e vërtetë. Lajmi nisi të përhapej me shpejtësi skëterrë në mediat e pafund të internetit në gjuhën shqipe dhe bashkë me të, edhe ngushëllimet për ish kolegun tim gazetar. Atëherë e kujtova që e kisha takuar për herë të fundit disa javë më parë, në studion e emisionit të Fevziut në TV “Klan” ku ishim ftuar bashkë me të tjerë, për të diskutuar rreth një teme të debatit politik të ditës. Nuk kujtoj të kem parë ndonjë shenjë të veçantë fizike, që të më linte të kuptoja se diçka po ndodhte me shëndetin e tij. Madje, në fund kur u ndamë, e pyeta nëse vazhdonte të dilte ende për vrap nga liqeni. Një pasion i vjetër dhe i njohur i tij. Tregues i një jetë të rregullt e të shëndetshme.
E kam njohur Ndriun mbi 30 vjet më parë, kur isha student dhe ai pedagog. E më pas, ishim takuar herë pas here rastësisht para viteve ’90 në ish klubin e gazetarëve poshtë ish redaksisë së gazetës “Bashkimi”, në Bulevardin “Zog I” me miq të përbashkët. Derisa në fund të 1994 e fillim të 1995, u bëmë kolegë gazetarë. Ai si reporter i ekonomisë në “Gazeta Shqiptare” dhe unë reporter i kronikës në gazetën “Koha Jonë”. Sigurisht, Andrea i njohur e me përvojë dhe unë një fillestar atë kohë. Nuk kishte ndryshuar shumë në vitet që nuk ishim parë, veç kishte rritur flokët dhe kish lënë mjekër dhe nuk ndante nga krahe-supi një çantë lëkure, që bashkë me syzet tipike, i jepnin pamjen e një reporteri perëndimor.
Takoheshim shpesh në bar Westin e famshëm të Fidel Yllit, ku rrinte zakonisht me Tos Baxhakun, Mand Meron, Tor Pustinën, Mond Lacin, Arlinda Caushollin dhe Tor Kikinë, duke e dëgjuar me vëmendje e lexuar çdo shkrim të tij në “Gazetë”. Vitet rrodhën dhe kjo pamje që më doli para syve si një film bardh e zi gjatë rrugës së kthimit për në Tiranë, më futi në mendime. Të cilat nisin të më çonin në disa lëndina të harruara në sirtarët e kujtesës. Për të më sjellë përpara syve, vdekjen tragjike të kolegut tonë Ali Uka që e përcollëm sëbashku më 1997 nga redaksia e “Gazetës”. Për të vijuar më pas me të tjerë kolegë të paharruar, si Teodor Keko, botuesi Dritan Hoxha, ish gazetari Sokol Olldashi, pedagogu i gazetarisë Agim Neza, reporterja e Neës 24 Enkelejda Skënderasi, etj,. Të gjithë para kohe, të rinj dhe pjesë e brezit të gazetarëve të post komunizmit.
Çdo ikje është e dhimbshme, aq më tepër e atyre që përveçse vlera të spikatura të kësaj shoqërie, kanë qenë të njohur, kolegë dhe bashkëpunëtorët e tu për vite e vite, në një kohë të vrullshme ndryshimesh radikale të çerekshekullit të fundit. Por, ikje si ajo e Andrea Stefanit janë edhe më të trishta, jo vetëm për shkakun se ishte në kulmin e pjekurisë njerëzore, profesionale dhe intelektuale. Por, mbi të gjitha për shkak se largimi i tyre nga kjo botë, në epoka krizash të vlerave njerëzore, idealeve, koshiencës, kompromiseve dhe mungesës së koshiencës për angazhim qytetar që ka kaluar shoqëria shqiptare pas 1990, e varfëron qytetin. E varfëron Tiranën. E varfëron qytetarinë dhe elitën e re shqiptare në tërësinë e vet.
Ndriu, ndriti si qytetar i angazhuar. Ndriti si gazetar. Analist. Si njeri antikonformist. Duke i qëndruar besnik bindjeve të veta. Ideve të veta. Vetes së vet. Edhe kur unë e ti nuk ishim dakord me të. Kur të gjithë binim dakord me të. Edhe kur të majtët e quanin të djathtë. Dhe të djathtët më së shumti të majtë. Apo edhe kur i kishte të gjithë kundër. Ndriu, do na ndrijë edhe nga atje lart ku është nisur për të na parë tashmë, të gjithë ne. Për ta ndriçuar nga atje këtë qytet. Duke kompensuar me dritën e kujtimit të tij, varfërinë që la sot mes nesh.