Të ka rastisur të kalosh në rrugët që të çojnë në pikën më të frekuentuar të kryeqytetit për të rinjtë? Blloku. Padyshim që i keni vënë re edhe vazot me lule të vendosura në mënyrë jo simetrike dhe zonja që të shohin drejt e në sy, po që nuk thërrasin ‘’ajde lule’’.
Për to është mbijetesë, një tufë lule e shitur një ushqim më shumë në familje. Për atë që i blen ose ca më tepër për atë që i dhurohen, një moment gëzimi. Mjafton një gjest i vogël për t’ua bërë ditën më të bukur. Manushaqja është një prej atyre zonjave që çdo ditë dalin në rrugë me tufat e luleve. Ajo tregon në rrëfimin e saj punën e përditshme, momentet sesi i duhet të përballet me policinë në mënyrë që të mos ia sekuestrojnë lulet, pasionin për punën dhe momentet e vështira të mbërritjes në Tiranë.
‘’Quhem Manushaqe. Jam 75 vjeç.
Jam nga Korça dhe kam jetuar atje derisa u shpërngulëm në Tiranë. Në Korçë punoja në bujqësi. U prishën kooperativat dhe aty morëm një vendim, të vinim në Tiranë. Nuk e dinim ç’do të bënim, apo ç’na priste. Ishte një vendim që e morëm në errësirë, Ishim në një udhëkryq me sytë e mbylluara dhe duhet të zgjidhnim një rrugë nga të shkonim.
Tani që jam 75 vjeç e di që diferencën në jetë e bëjnë pikërisht këto vendimet që merr në errësirë. Fati është gjëja kryesore në jetë. Mbi çdo gjë, mbi aftësitë, mbi dijen. Fati është ai që përcakton.
Dhe unë tani në muzg të jetës e kuptoj që s’kam pasur shumë të tillë..
Edhe vendimin për lulet e mora në gjysëm errësirë. Gjithnjë kam pasur pasion për lulet. Më ka pëlqyer të kujdesem për to. Prandaj te baçja që kam në shtëpi e kam mbushur plot me trëndafila dhe lule të ndryshme që çelin në kohën e vet.
Kam që në vitin ’90 që shes lule në rrugë,këtu në Tiranë. Jam vendosur tek blloku pasi ka lëvizje.
Nuk dua të ankohem pasi kjo gjë më ka mbajtur me bukë. Nuk fitoj shumë, sepse i shes lirë. E di që dyqanet i mbajnë shtrenjtë prandaj unë i mbaj shumë më lirë. Është e vetmja mënyrë si mund t’i bind njerëzit të vijnë të blejnë lule tek unë dhe jo tek një dyqan me drita vezullitëse dhe shitëse të bukur.
E kam pranuar realitetin tani. Edhe pse rri në të ftohtë dhe të nxehtë kjo punë është bërë pjesë e imja.
Policia më sheh të moshuar dhe nuk më ngacmon. Varet edhe nga ditët. Kur ka rrëmujë më thonë të iki. Më kanë vënë gjobë dhe m’i kanë marre lulet. Kam ikur me vrap ta paguaja dhe ti merrja mbrapsht.
Kënaqem kur shoh të rinj që blejnë tufa për njëri tjetrin. Nganjëhërë imagjinoj se çfarë do të isha duke bërë sikur t’i kisha të gjitha në vijë dhe mos më duhej të punoja.
Do të dilja të jepja lule falas. Do t’ju jepja lule njerzve që të dhuronin lule. Është lumturi të dhurosh lule. Lumturi e thjeshtë, e kuptueshme.
Sepse, tani që ditët kanë kaluar, e kuptoj që ajo c’ka mbetet nga jeta, pasi avullojnë ujërat, është kujtimi i momenteve të lumtura që ke kaluar. Jeta vetë ësshtë shuma e momenteve të lumtura që ke pasur, cdo gje tjetër avullon.’’