Nga Valmora Gogo
Kur m’u propozua ky projekt kisha mbledhur me kujdes se çfarë nuk shkonte në medien shqiptare, veçanërisht atë online. Më erdhi e ngrohtë ideja e një ‘’Shuplake’’. Është kjo që ne gazetarët e përgjegjshëm bëjmë përditë, ne që nuk heqim dorë nga të bërit e lajmeve me interes publik. Më besoni, jemi shumë ne që mundohemi të çajmë vulgun që na ka mbytur, duke dhënë ”shuplaka” por disafish më shumë janë ata që bëjnë të kundërtën.
Pse sot, 5 dhjetor, portali ”Shuplaka” në treg?
Sepse mendojmë që do sjellim një tjetër dimension të raportit me të vërtetat. Është pikërisht kjo pika që më shumë se gjithçka; dizenjo, ritëm, lajme interesante, klikime, çalon në medien shqiptare. Numërohen me gishtat e një dore portalet që në Shqipëri kanë një raport qartësisht korrekt me të vërtetat. Të kuptohemi nuk duhet ngatërruar kjo gjë me linjën editoriale të medias, e cila s’ka aspak të bëjë me atë që po ndodh: manipulimin.
Tanimë lexuesit online janë të shpërqëndruar për shkak të fenomenit të mpirjes së audiencës, e cila ashtu si kudo, po ndodh edhe në Shqipëri. Inflacion fjalësh e informacioni, por shumë pak, ose aspak qartësi e korrektësi për të vërtetat. Dhe në këtë kuptim për ne do marrë përparësi vetëm fakti.
Mendojmë që gazetaria shqiptare, përpos vanitozes, e cila sipas gjasave do vazhdojë të ketë ende terren, e ka kaluar fazën e gazetarisë së Scoop-it dhe fryrjes së ngjarjeve pa fakte, të cilat për hir të së vërtetës përdoren shpesh edhe për të hequr vëmendjen nga ngjarje thelbësore për interesin publik.
Së dyti, ”Shuplaka” do dalë nga skemat manipulatore të medies. Janë ato skema që të gjithë gazetarët e redaksitë i njohin e prekin nga afër të tipit: politikanët prodhojnë editoriale, politikanët dhe njerëzit influentë çojnë me SMS ide, SMS me ”goditje poshtë brezit” , çojnë linke për t’u publikuar apo që politikanët dhe njerëzit influentë blenë në mos me para, me shpërblim pushteti pronarët, drejtuesit apo kryeredaktorët që luftojnë me ”shpatën” e gazetarit. Dhe mos t’i rrejë mendja se arrijnë t’ia hedhin lexuesit.
Së treti, do bëjmë të pamundurën për të ruajtur një balancë të shëndetshme mes lajmeve të lehta dhe atyre me thelb. Një raport të kujdesshëm mes argëtimit, lajmet që çlodhin lexuesit, të tipit showbizz dhe atyre që u ofrojnë, fakte e mendim.
Së katërti, më shumë se hartime, te ”Shuplaka” do lexoni ide origjinale, ide që do ju ndihmojnë të bëni filtrimin e informacionit që nuk ndalet në ditët e sotme, ide se si të jemi të kujdesshëm me vanitozen dhe famën në gazetarinë shqiptare. Çështje që prekin e cënojnë jetën time dhe tënden.
Së fundmi, raporti lajm prej vërteti-lajm i klikueshëm. Është e vërtetë që një medie online duhet të mbijetojë dhe për këtë i nevojitet çdo klikim mausi sipër lajmit të publikuar. Por ne do bëjmë të kundërtën. Do përbuzim çdo lajm që nuk sjell asgjë për lexuesin përveç grepit për ta kapur.
Tani jemi gati, me një ekip të rinjsh që e njohin mirë medien online, duke kërkuar gjithnjë përvojën e gazetarëve që kanë bërë sukses për:
Një shuplakë ndaj lajmit të bërë keq,
Një shuplakë të gjithë manipulatorëve,
Një shuplakë të gjithë të shiturve,
Një shuplakë të gjitha medieve me gjysmë të vërteta,
Një shuplakë të gjithë atyre që mendojnë se kanë monopolin e të vërtetave,
Një shuplakë influencave në dëm të interesit publik,
Sa do ia dalim?! Media nuk premton. Ajo thjesht vepron, duke publikuar të vërteta, përzgjedhur fakte, faktorizuar argumente e fuqizuar debate. Për të verifikuar punën tonë do jeni ju, më besnikët tanë.
Tek ne do keni një derë të hapur për çdo shqetësim, denoncim, ankesë, informacion konfidencial, ide që ia vlejnë t’i dëgjojnë të gjithë dhe padyshim mos na kurseni ndaj çdo kritike. Qofsh i mbarë dhjetor!