Reagon Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për ngjarjen në Burgun e Fierit.
Elio Laze, këshilltari i drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve tregon për ”Shuplaka”-n se gjithçka ka nisur në sallën e takimit mes familjarëve dhe regjimit të sigurisë në burg.
”Nuk ka dhunë ndaj të dënuarit. Familjarët nuk janë bindur ku të uleshin dhe kanë bërtitur. Në këtë moment shefi i sigurisë ka marrë vendimin të mos realizonte takimin.
I dënuari ka qenë duke u afruar por nuk realizohet takimi në rast se familjarët nuk pozicionohen. Ka patur një incident verbal dhe jo fizik. Pas debateve është vendosur mosrealizimi i takimit”, shpjegon Laze.
Siç kuptohet, edhe sipas versionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve familjarët nuk kanë mundur ta shohin me sy të dënuarin. I pyetur se kur mund ta shohin, Laze thotë se i dënuari ka 4 takime në muaj por nuk di të thotë me saktësi se kur do realizohet tjetri.
Lumturie Larti, motra e të dënuarit Bledi Larti është në tension për informacionin që ka marrë nga brenda burgut. Sipas saj vëllai ka 3 ditë që rrihet brutalisht nga gardianët. Mes dyshimit Lumturia ka orë që qëndron në afërsi të burgut për t’u informuar.
”Gardianët kanë 3 ditë që e rrahin barbarisht vëllanë tim. Jam këtu në Burgun e Fierit. Askush nuk më jep informacion se si është tani.
Kemi kërkuar drejtorin. Por ai nuk duket. Nuk di çfarë të bëj. Unë do qëndroj këtu për vëllanë tim. Ai ka bërë një gabim por askush s’ka të drejtë ta dhunojë”, tha Lumturie Larti./ SHUPLAKA