Rreth dy javë pas aksidentit tragjik ku mbeti i vdekur Kristi Panajoti 18 vjeç, ka reaguar drejtuesi i mjetit dhe njëherazi shoku i viktimës, Petraq Bejaj.
Ai ka rrëfyer minutat para aksidentit dhe se si Shefi i Seksionit për Hetimet e Aksidenteve, Myslim Ismailaj, i kërkoi të deklaronte se kishte probleme me shikimin.
Petraq Bejaj ka treguar se përpara aksidentit të rëndë, ai dhe viktima kishin frekuentuar një lokal të një miku, e më pas vendosën të bënin një xhiro përpara kthimit në shtëpi.
“Para aksidentit po bisedonim, nuk pashë asnjë tabelë kur papritur rashë në një gropë që ishte shumë e madhe. Humba ndjenjat e pasi u përmenda, dola vetë nga makina por nuk mbaj mend asgjë nga momenti i përplasjes. Ishin disa djem që më çuan në spital.”, është shprehur Bejaj.
Ai thekson se nuk kishin konsumuar asnjë lloj alkooli apo droge dhe nuk po ecnin me më shumë se 60km/orë. Mes dhimbjes, i riu rrëfen momentet e fundit me 18-vjeçarin Panajoti: “Ndiej dhimbje shumë të madhe për Kristin. Pak para aksidentit, ai më kërkoi të bënim foto.”
I mbijetuari i aksidentit rrëfen se asnjëherë nuk ka pasur probleme me shikimin, ndryshe nga sa Ismailaj i kërkoi të deklaronte: “Ai nxorri jashtë dhomës së spitalit mamanë time dhe mjeken. Më pas më kërkoi të tregoja çfarë kishte ndodhur dhe më tha që duhet të pranoja se kisha probleme me shikimin.”