Deputeti Ben Blushi ka reaguar për rritjen e borxhit publik. Sipas tij qeveria ka marrë shumë borxhe për arsye të papërligjura dhe deri më sot asnjëherë nuk është bërë e ditur, se ku kanë shkuar afro 1 miliard e gjysëm euro që janë marrë hua.
“Kryesisht janë kthyer në zyra, mobilje, tapiceri, pllaka, fasada, stadiume,pishina, kulla dhe luks primitiv. Secili prej nesh sot paguan më shumë borxh se tre vjet më pare”, shkruan Blushi.
Ai shpjegon se në vitin 2013 çdo shqiptar e kishte pjesën e vet të borxhit 2148 euro, sot e ka 2630 euro. Sipas Blushit kjo do të thotë se në tre vjet secilit i është rritur borxhi me 482 euro.
“Natyrisht rritja e pagave dhe pensioneve nuk është 482 euro për frymë. Ky është bilanci ekonomik i Rilindjes. Me para borxh blejmë manikyrin para sapunit. Edhe një femijë që lind sot duhet të paguajë 482 euro për manikyrin e Rilindjes!”, shprehet kreu i LIBRA-s.