Donald Lu del garant për Reformën në Drejtësi dhe Vettingun, edhe pas gabimeve në përkthim.
”Është ndërtuar sistem i pavarur dhe i izoluar nga ndikimet politike”, ka siguruar këtë të mërkurë ambasadori amerikan Lu, duke shtuar se lufta ndaj korrupsionit nis me Vettingun.
”Prandaj pyetja është si do të luftohet korrupsioni në vendin tuaj në Shqipëri?
Kjo nis me Vettingun ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në fillim të vitit të ardhshëm.
Prokurorët më të pastër do të përzgjedhin anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ai do të përzgjedhë prokurorët e SPAK-ut, prokurorët e lartë të SPAK-ut do të përzgjedhin prokurorët e BKH-së.
”Është bërë shumë kujdes për të ndërtuar një sistem të pavarur dhe që është i izoluar nga trysnitë politike.”, theksoi Lu. Madje ambasadori amerikan përmendi edhe deklaratat e Berishës, duke u dakordësuar me ish-kreun e PD-së Sali Berisha lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias. Dy ditë më parë Lu i quajti sajesa lajmet për gabimet në përkthim duke mbrojtur ambasadoren e BE-së Romana Vlahutin dhe EURALIUS-in, ndërsa dje BE-ja reagoi duke deklaruar se ishin akuza të rreme.
FJALA E PLOTË:
I nderuar President Bujar Nishani, zonja dhe zotërinj,
Gjatë tri ditëve të kësaj konference keni dëgjuar se si është luftuar korrupsioni në Rumani, Kroaci dhe në Shtetet e Bashkuara. Në secilin prej këtyre rasteve, ky nuk u luftua nga të huajt, por u luftua nga prokurorë, policë, gazetarë dhe gjyqtarë me kurajo të tre vendeve. Kjo nuk u arrit nga të huajt dhe sigurisht që nuk u arrit nga politikanët.
Prandaj pyetja me të cilën ju lë është: si do të luftohet korrupsioni i nivelit të lartë në Shqipëri?
Kjo nis me vetingun, me vetingun e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në fillim të vitit të ardhshëm. Pasi të jenë rivlerësuar mjaftueshëm prokurorë, prokurorët e pastër do të përzgjedhin anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të përzgjedhë kryeprokurorin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Prokurorët e lartë të SPAK-ut do të përzgjedhin drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Është bërë shumë kujdes për të ndërtuar një sistem që është i pavarur dhe i izoluar nga trysnitë politike. Gjithashtu, kjo do të kërkojë që populli shqiptar ta vëzhgojë këtë proces me shumë kujdes, për t’u siguruar që as edhe një politikan i vetëm, as edhe një gjyqtar i vetëm, e as edhe një prokuror i vetëm të mos mundet të manipulojë ose të ndikojë rezultatin e këtij sistemi.
Gjithashtu i jemi mirënjohës Komisionit të Venecias për këshillat e urta. Jam dakord me Dr. Sali Berishën, i cili ka thënë para disa kohësh se opinioni i Komisionit të Venecias ofron një bazë solide për t’i dhënë vendit reformën më të mirë të drejtësisë. Dr. Berisha tha se beson që të gjitha forcat politike shqiptare duhet të mbështesin këshillën e urtë të Presidentit të Komisionit të Venecias.
Përgjegjësia e sigurimit të institucioneve të pastra për të luftuar korrupsionin i takon popullit shqiptar, shoqërisë civile dhe gazetarëve.
Kam besim në mençurinë e popullit shqiptar. Ai është i zgjuar dhe i paepur. Dhe është i lodhur nga korrupsioni në këtë vend.