Javë më parë kryeministri Edi Rama inaguroi bunkerin e dytë të ndërtuar nga regjimi komunist pranë Ministrisë së Brendshme, të pagëzuar me emrin “Bunk’Art 2”. Bunkeri-muze që simbolizon diktaturën, dhunën, persekutimin dhe natyrisht burgosjen e fjalës së lirë, do të administrohet, ashtu edhe si “Bunk’Art 1”, nga italiani Carlo Bollino.
Ky i fundit, pronar i disa mediave në Shqipëri dhe i njohur për lidhjet e tij me qeverinë, prej disa ditësh përpiqet të mbrojë “investimin” më të fundit të qeverisë Rama.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai shkruan se: “Të rrëfesh tmerret e komunizmit mbetet një punë jo e lehtë. U bënë mbi 20 vjet që përpiqem, po tani e kuptoj se jo vetëm që ka shumë ende për të rrëfyer, por mbi të gjitha, bllokada kulturore e përbërë nga paragjykime e tabu’ që pengojnë përhapjen e kësaj, është ende e fuqishme, e ushqyer jo aq nga zemërimi nostalgjik i komunistëve, se sa nga urrejtja e antikomunistëve”.
Më tej ai përmend edhe ish kryeministrin Sali Berisha duke u shprehur se, “Sot arrij të kuptoj se Berisha nuk më urrente vetëm sepse kisha thyer tabunë e kronikës së zezë, por edhe pse shkoja të gërmoja nëpër arkiva për të rrëfyer tmerret e komunizmit. Kush e di se nga çfarë trembej se do të zbuloja…”
Në fund, Carlo Bollino del i hapur edhe ndaj sygjerimeve.
“Si çdo vend modern përkujtimi, edhe “Bunk’Art” është një projekt në evolucion të vazhdueshëm dhe, prandaj, jo vetëm që jemi të interesuar të dëgjojmë sugjerime, por edhe jemi të gatshëm për të marrë dhe ekspozuar materiale e dokumenta që mund të kontribuojnë më tej për të hedhur dritë në terrin e tmerreve të kryera në 45 vjet diktaturë”, shkruan italiani.