Maja Kocijancic, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, njofton se muri që u ndërtua në Urën e Ibrit në Mitrovicë do të lidhë unazën me zonën e këmbësorëve.
“Nuk do të jetë mur, por një shkallë që lidh unazën me zonën e këmbësorëve. Gjatë bisedimeve të djeshme palët ranë dakord se do të ngrihen shkallët që sigurojnë lirinë e lëvizjes nga njëra anë në tjetrën”, është shprehur Kocijancic.
Zëdhënësja ka shtuar se Bashkimi Evropian do të monitorojë me kujdes zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Ndërtimi i murit prej betoni nga autoritetet serbe përballë Urës së Ibrit, ka ngjallur reagime të shumta në opinion prej disa ditësh.
Kjo urë ndan etnikisht qytetin kosovar të Mitrovicës dhe shqiptarët menduan se serbët po e ndërtojnë për të ndarë qytetin.