Jozefina Topalli, ish-kryetarja e Kuvendit, ish-nënkryetare e Partisë Demokratike dhe një nga kritiket e hapura të vendimeve të Lulzim Bashës në krye të partisë shpjegon në një koment të sajin arsyet pse dje nuk qe e pranishme në përvjetor.
Partia Demokratike mbushi plot 26 vjet nga krijimi i i saj por Topalli tregon se mungesa e saj nuk lidhet fare me diferencat që ka me Lulzim Bashën, duke pranuar kështu edhe njëherë se mendon ndryshe nga pasardhësi politik i Sali Berishës.
”Dje PD është bërë 26 vjeçe. Unë nuk e kisha të mundur të isha pjesë e këtij përvjetori të themelimit të Partisë së parë opozitare, të Partisë së lirive për arsye që nuk lidhen fare me politikën dhe aq më pak me diferencat që kam me Lulzim Bashën.
Unë prej disa ditësh nuk kam patur mundësi të jem as në seancë parlamentare sepse nëna ime është e sëmurë.
Për 20 vite rresht duke ndjerë përgjegjësi në detyrat e mia unë nuk kam qëndruar gjatë as me fëmijët e mi, as me nënën time.
Tani që ajo është në shtrat unë i rri tek koka dhe do vazhdoj t’ i rri për ta ndihmuar me sa të mundem.
Nuk do kisha dashtë fare të flas për një gjë krejt timen, private.
Por duke parë titujt në disa media po e bëj këtë sqarim vetëm në respekt të demokratëve që kanë besuar e janë sakrifikuar në vite pa kërkuar asgjë; e bëj në respekt të miqve të mi.”, shkruan Topalli.
Dhe deputetja demokrate beson ende te partia e saj, duke shkruar se çfarë duhet bërë.
”Dhe uroj me gjithë zemër që Partia e ëndrrave të kthehet në vlerat e saj e t’i dalë zot interesave të vendit me kurajo e sinqeritet.
Neve nuk na lejohet më të ankohemi apo vetëm të kritikojmë Qeverinë më të keqe të këtyre 25 viteve. Ne duhet të ndryshojmë këtë politike të kalbur nga korrupsioni, paaftësia e meskiniteti.
Ne duhet t’i bëhemi digë asaj, për të mos lejuar politika që dëmtojnë ekonominë e vendit e të njerëzve.
Ne duhet të rrisim presionin e t’i kthejmë rrezen e diellit, e këtë ta bëjmë me vepra e jo vetëm me fjalë.
Vendi e njerëzit janë në dëshpërim. Ne duhet t’ i kthejmë shpresën; Ne duhet t’ i bindim në Fitore.
Duke u kthyer në vlerat universale, për të cilat PD u themelua ne do ndalim rënien e do ndryshojmë vendin.
Unë besoj tek çdo demokrat, tek çdo i ri dhe e re; unë besoj tek forca e çdo shqiptari dhe e çdo prindi në përpjekjet e tyre titanike për të mbrojtur të ardhmen e fëmijëve të tyre; unë besoj tek ndryshimi e besoj se ky vend bëhet.
Duhet vetëm përkushtim e ndershmeri.
Mirënjohje të thellë themeluesve të PD, atyre që iu gjenden asaj në kohë të vështira për ta ringritur nga hiri, mirënjohje çdo demokrati që e deshti dhe e mbrojti pa asnjë interes.
Krenare për çdo gjë të mirë që kemi bërë për vendin.”, përfundon Topalli.