Një ditë pas paraqitjes në Komisionin Hetimor, ku Sali Berisha u thirr në cilësinë e dëshmitarit për privatizimin e OSSH nga CEZ, ish-kryeministri vijon me qëndrimet e tij. Në prononcimin e tij për mediat, Berisha i hakërrhet kreut të këtij komisioni, Taulant Balla, duke e cilësuar si një shpifër ordiner.
“Të paktën 5 herë brenda në sallë tha se nuk jam dënuar asnjëherë, duke dëshmuar se i urdhëruar nga Edi Rama është i aftë të pështyjë, të nxijë, të denigrojë veten, si një njeri që nuk është rritur në këtë tokë, që nuk ka familje, që nuk ka miq, nuk ka nder, dinjitet, nuk ka asgjë. Kjo u faktua.”, shprehet fillimisht Sali Berisha.
Në vijim, ish-kryeministri falënderon komisionin për mundësinë që i dha për të bërë një ekspozë të gjerë të vjedhjeve të Ramës dhe të ketë një audiencë të madhe për aferat korruptive të qeverisë, për ARMO-n dhe CEZ-in.
“Nga ana tjetër dua të falënderoj komisionin që më dha mundësinë për të bërë një ekspoze të gjerë të vjedhjeve të Ramës. Ma dha mundësinë të kem një audiencë të madhe për aferat korruptive të tij, të kësaj Qeverie, për CEZ, për ARMOn, çka përbënte për mua një detyrim, të shprehja para shqiptarëve mendimet e mia.”
Ai bën thirrje që të mundësohen pyetjet e gazetarëve, të cilët një ditë më parë nuk u lejuan të pyesnin, sipas tij për shkak të Ramës që e ka kapur tmerri nga portalet dhe mediat: “Imagjinoni një njeri me fiksime që kishte në krah kancelaren e Gjermanisë dhe thoshte mediat e portalet. Nuk e kishte mendjen tek kancelarja, por tek mediat e portalet, sigurisht përveç Bollinos se atë e ka si baltën pas vetes.”