Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakort me rekomandimin e Komisionit europian për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë.
“Këshilli vëren pozitivisht rekomandimin e Komisionit për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë, në varësi të një përparimi të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi, në veçanti të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në deklaratën e Këshillit të ministrave.
Këshilli i ministrave i bën ftesë KE-së të raportojë mbi Shqipërinë, përveç paketës së zgjerimit, dhe më pas ata mund të rimarrin në shqyrtim Shqipërinë kur të jetë kryer progresi i mjaftueshëm.
Zëri i Amerikës raporton se vendet anëtarëve në BE, i kërkojnë Shqipërisë që ajo të ecë përpara me 5 prioritetet kyçe, të cilat janë vënë kusht për hapjen e negociatave me BE.