NATO është e gatshme të ndërhyjë në Ballkan në mënyrë që të parandalojë konfliktin ndëretnik dhe të promovojë sigurinë dhe stabilitetin.
Kështu thuhet në dokumentin sekret të NATO-s, i cili analizon situatën në Ballkanin Perëndimor dhe që është miratuar nga Ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, shkruan e përditshmja kroate “Vecernji list”.
Sipas medias kroate, e cila citon burimet e saj në Bruksel, ky veprim lidhet me sjelljen destabilizuese të Rusisë, ekstremizmin dhe radikalizmin në rritje si dhe pasojat e kthimit të luftëtarëve nga Siria dhe Iraku.
Sipas dokumentit, janë rreth 260 ushtarë nga Bosnje Hercegovina, të cilët kanë shkuar për të luftuar përkrah ISIS dhe Al-Kaeda në Irak dhe Siri.
Gjithashtu në këtë dokument top-sekrct thuhet se veprimi i Rusisë mesazhet e të cilës kanë jehonë të madhe te serbët, ndërsa identifikohet “rritja e aktivitetit rus në Ballkanin Perëndimor”.
“Rusia ofron mbështetje politike dhe ekonomike për etninë serbe në Bosnje Hercegovinë në mënyrë që të nxis pengesën e rrugës euroatlantike të Bosnjës”, thuhet ndër të tjera në dokument.
Sipas dokumentit në fjalë, NATO i jep mbështetje të plotë rrugës euroatlantike të Maqedonisë dhe Bosnjës dhe mbështet fuqishëm dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.
Në pjesën e dokumentit ku flitet për Serbinë, theksohet se mbështetja e serbëve për këtë Aleancë është shumë e ulët, e cila vjen si pasojë e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999.
Ky dokument është hartuar në fillim të këtij muaji në kuadër të zbatimin të konkluzioneve të Samitit të NATO-s në Varshavë në muajin korrik, dhe ku bien dakord të 28 vendet anëtare.