I ftuar në emisionin “Opinion”, kreu i partisë “BESA”, partia shqiptare surprizë e zgjedhjeve të 11 dhjetorit në Maqedoni, Bilal Kasami, ka theksuar se shqiptarët asnjëherë nuk patën një subjekt politik që t’i mbrojë ata, në aspektin e të drejtave të tyre kombëtare dhe ekonomike.
Sipas tij, BDI i ka shërbyer partisë nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE.
“Ka dy tendenca që po zhvillohen paralel në Maqedoni, që të ndahet Maqedonia në linja etnike dhe tendenca tjetër është që Maqedonia të jetë një shtet qytetar, që të jetë në nivelin e çdo qytetari, kjo ndarje në linja etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, fatkeqësisht ka ndodhur përgjatë këtyre 10 viteve të fundit, kur në qeveri ka qenë partia nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE dhe BDI e cila ishte në shërbim të kësaj partie”.
I pyetur se ku do të shjkojnë 5 mandatet e “Besës”, Kasami është shprehur: “Votat tona do të shkojnë në drejtim të përmirësimit të asaj që na u mohua ndër vite”.
Në zgjedhjet e 11 dhjetorit Besa mori 5 mandate dhe mund të jetë një faktor kyç në krijimin e qeverisë së re të Shkupit.