Mbrëmjen e djeshme ministri Lefter Koka i ftuar në emisionin “Natë me Xhaxhiun” prezantoi nismën e Ministrisë së Mjedisit për angazhimet dhe objektivat që ka marrë Shqipëria për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
“Ne kemi një ligj që është funksional, por cilësia e ajrit është ende në nivele jo të kënaqshme në Shqipëri. Kërkohen një sërë masash për të mbërritur në rezultatin e nevojshëm. Sot në Shqipëri ndotja e ajrit vjen në masën 48%-60% nga transporti-automjetet, kryesisht me pluhur dhe PM10. Është dhe clirimi i CO2 faktor i rëndësishëm”, u shpreh ministri Koka.
Sipas tij në vendin tonë ka një flotë të vjetër mbi 500 mijë makina, me moshë mesatare rreth 18.4 vite, e barasvlefshme me Euro 1.
“Të kuptohemi Euro 1, i përket viteve 93-97. Jemi i vetmi vend në Evropë apo rajon ende me Euro 1. Sot Evropa e zhvilluar është në Euro 6, vendet e rajonit si Mali i Zi apo Bosnja janë në Euro 3 apo 4”, u shpreh ai.
Minisitri Koka shtoi me tej se makinat aktuale që ndodhen në vend duhet të kapin standardin Euro3 ose Euro 4 dhe çdo makinë e re që do të hyjë në Shqipëri si import do të jenë në standardin Euro5 të rejat dhe Euro 4 të përdorurat.
I pyetur nga gazetari Xhaxhiu se çfarë do bëhet me këto dhjetra makina që nuk plotësojnë këtë kriter ministri i është përgjigjur se nuk është i mendimit që një ditë të bukur gjithë këto makina do të dalin jashtë përdorimi por do t’ju lihet qytetarëve koha e duhur që të përshtasin makinat e tyre të në standardin e kërkuar.