Kreu i opozitës Lulëzim Basha akuzon qeverinë Rama se ai po fsheh realitetin e frikshëm të krimit të organizuar si dhe prodhimim dhe trafikimin e drogës.
“Zgjidhja e çdo problemi fillon me njohjen dhe pranimin e problemit, fshehja dhe manipulimi i realitetit vetëm e përkeqëson atë.
Prej muajsh kreu i qeverisë po zbaton një fushatë të gjerë për të fshehur realitetin e rrezikshëm të krimit të organizuar, prodhimit dhe trafikimit të drogës dhe të kapjes së shtetit nga krimi”, shkruan Basha në Facebook.
Sipas tij Rama po përpiqet me çdo mjet dhe shërbëtor të tij që të fshehë faktin se lufta kundër korrupsionit, krimit e drogës dhe zgjedhjet e lira janë kushte kyçe që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë për hapjen e negociatave.
“Nga manipulimi i realitetit përfitojnë vetëm kriminelët, trafikantët, të korruptuarit dhe Edi Rama. Qëndrimet e Kryeministrit janë mesazh i qartë inkurajues për kriminelët që të vazhdojnë të patrazuar pasi shteti nuk e ka prioritet luftën kundër tyre. Të vazhdojnë të qetë se Edi Rama nuk do thotë kurrë një fjalë të keqe për ta. Kështu ai jo vetëm po e inkurajon krimin duke e fshehur atë por po e mbron me veprime konkrete”, shprehet kreu i opozitës.
Po kështu ai shtoi me tej se veprimet e Edi Ramës dhe pushtetarëve të tij i dhanë lirinë një krimineli si Lulzim Berisha.
“Mosveprimet e Edi Ramës kanë lënë jashtë burgut Klement Balilaj dhe po mbajnë në pushtet një kriminel si Elvis Rroshi. Mbështetja e Edi Ramës po i mban kriminelët në politikë.
Me Edi Ramën Shqipëria është pronë e kriminelëve dhe jo e njerëzve të thjeshtë. Me Edi Ramën dyer e Bashkimit Europian do të mbeten të mbyllura për Shqipërinë”, përfundon Basha.