Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Konispol për të shpërndarë lejet e legalizimit për banorët e zonës dhe bashkëbisedimin me ta e ka postuar edhe në rrjetet sociale.
Por si gjithmonë, edhe këtë herë nuk kanë munguar reagimet e qytetarëve në lidhje me tema të ndryshme.
Një prej tyre, i quajtur Naim Frashëri, i ka folur për Rrugën e Kombit dhe vendimin e qeverisë për të dhënë me koncension këtë segment.
“Më mirë do ishte të merreshe me rrugën e kombit e ti lije qytetarët të leviznin të lirë. Vepër me buxhet shteti që jepet me koncension vetëm prej teje dhe Berishës ngjohet”, i komenton qytetari me emrin Naim Frashëri, ndërsa nuk mungon as përgjigja e kreut të qeverisë.
“Ah vërtet e ke Naim, po nëpër botë ke parë zotrote ndonjë vend ku autostradat janë pa pagesë, me koncesion janë kudo sepse mirëmbajtja paguhet nga ato para që mbledh rruga dhe mos ki merak se banorët e zonës nuk përfshihen në këtë skemë”, shkruan Rama.
Qeveria miratoi para pak ditësh kontratën mes Ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës dhe tre firmave për koncensionin për “Rrugën e Kombit”.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të vendimit nr.634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave. /SHUPLAKA/