Vëllai i ish-kryeministrit komunist Mehmet Shehu, Duro Shehu, i cili jeton prej vitesh në Kanada, ka folur mbi vrasjen apo vetëvrasjen misterioze të kryeministrit më jetëgjatë në historinë e shtetit shqiptar.
Sipas tij, Mehmet Shehu është eleminuar nga persona që donin të merrnin pushtetin, që sipas tij, askush nuk mund ta merrte për sa kohë ishte gjallë Mehmeti.
“Mehmet Shehu është helmuar dhe pastaj është qëlluar me dy plumba. Cili është njeriu që ka qëlluar mbi të? Në fillim dukej se çështja ishte e koklavitur, por unë kam bërë hetimet e mia dhe kam pyetur shumë njerëz. Nga të gjitha këto, kam dalë në përfundimin se urdhri për ekzekutimin e tij është dhënë nga Enver Hoxha, ndërsa këmbëzën e ka shkrepur “Jagoja”, Kadri Hazbiu. Por në marrjen e vendimit ka qenë dhe një i tretë, “Hrushovi”, Ramiz Alia. Idajeti nxjerr Ramizin, Kadriun dhe Feçorrin. E besoj se mund të ketë ndodhur ashtu. Por unë theksoj atë që kam thënë edhe herë të tjera: Të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata që jetonin kur ishte Mehmet Shehu gjallë, por dhe që kanë lindur pasi ai u vra, kam bindjen po t’i pyesësh (se do u kenë treguar nënat, baballarët, gjyshërit), mbi këtë çështje do të thonë se mbi Mehmet Shehun nuk mund të vinte dot dorë njeri pa lejen e Enver Hoxhës”, ka thënë për gazetën “Dita” Duro Shehu.
Lidhur me rolin e Kadri Hazbiut në vrasjen e Mehmetit, Duro Shehu thotë se atij i ishte premtuar të bëhej kryeministër.
“Fakti që Kadri Hazbiu ishte njeriu që lexoi fjalimin para popullit në përfundim të Kongresit të 8-të të PPSH-së, ndërkohë që, një gjë të tillë herët e tjera e kishte bërë Mehmet Shehu, tregonte se ai ishte në pozita të forta për të marrë kreun e ekzekutivit. Ata që e mbajnë mend e kujtojnë mirë se në mbyllje të Kongresit, si gjithmonë udhëheqja doli tek kolonat e Teatrit të Operas dhe sipas traditës, për masën e gjerë të publikut, kryeministri bënte një rezyme të shkurtër. Kjo ka qenë dhe procedura. Por në vend të Mehmet Shehut, konkluzionet i mbajti Kadri Hazbiu. Ata, që i njihnim mirë procedurat, u habitën, por në këtë rast kanë reaguar edhe mediat e huaja, që ishin tepër të vëmendshme se si ndodhnin ndryshimet në këto raste. Ky ishte një sinjal. Një paralajmërim”, thotë vëllai i Mehmeti Shehut.
Mehmet Shehu u gjet i pajetë në shtratin e tij më 18 dhjetor 1981. Edhe pse zyrtarisht është deklaruar se ishte vetëvrasje ende vazhdohet të ketë dyshime mbi këtë ngjarje.