Kreu i Shërbimit Informativ Shetëror, Visho Ajazi Lika, ka uruar të gjithë vartësit e tij me rastin e festave të fundvitit.
Duke i uruar për një vit të suksesshëm për ta dhe familjarët e tyre, Lika thekson edhe dy momentet e rëndësishme për SHISH-in, dekorimi nga presidenti Bujar Nishani me medaljen e “Artë të Shqiponjës” si dhe vizitën në Tiranë të drejtorit të CIA-s , John Brennan.
“Ju uroj suksese të mëtejshme në realizimin e detyrave në shërbim të Shtetit dhe vendit tonë. Gjej rastin të shpreh mirënjohjen time për të gjithë punonjësit, burrat e gratë, për gatishmërinë, kontributin dhe përkushtimin e treguar në realizimin e detyrave të ngarkuara nga ligji dhe nga Prioritetet e Qeverisë për vitin 2016. Sukseseve të këtij viti u janë shtuar edhe dy ngjarje domethënëse për një Shërbim Informativ. Dekorimi i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), me datën 04.07.2016, nga Presidenti i Republikës, Sh. T. z. Bujar Nishani, me Dekoratën e Artë të Shqiponjës, të cilën e kemi njoftuar zyrtarisht më parë. Vizita e suksesshme zyrtare në SHISH; e datës 06.12.2016, në përgjigje të ftesës së Drejtorit të SHISH z. Visho Ajazi Lika; e Drejtorit të Agjencisë Qëndrore të Zbulimit të SHBA (CIA), z. John O. BRENNAN, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të agjencisë së tyre. Gjatë kësaj vizite, u zhvillua një takim kokë më kokë midis dy Drejtorëve të Shërbimeve, takime mes delegacioneve respektive si dhe një takim 2 me stafin drejtues të SHISH”, thuhet në urimin e Visho Ajazi Likës për punonjësit e SHISH.
Urimi është publikuar në faqen zyrtare të SHISH në internet. (A.R/SHUPLAKA)