Gjykata e Apelit ka vendosur masën e dënimit prej 57 vite burg për tre të akuzuarit e vrasjes së shtetasit Fatjon Barmetës katër vite më parë në Burrel.
Konkretisht: 25 vite burg për Përparim Boja, 17 vite burg për Astrit (Luis) Boja dhe 15 vite burg për shtetasin Fation Cani.
Mbi këta tre persona rëndon akuza e “vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim. Ata akuzohen se kanë vrarë Fatjon Barmeta më 22 nëntor.
Dy vëllezërit Boja dhe Fation Cani u akuzuan se goditën me mjete të forta Barmetën, pas dyshimeve se ngacmonte bashkëshorten e Përparim Bojës. Sipas autopsisë së bërë atë kohë viktimës, u fol për zbulimin e fakteve tronditëse, ku doli se Barmeta ka vazhduar të mbijetojë edhe 48 orë pas groposjes. Sipas hetimeve, rezultoi se autorët e masakrës nuk kishin pasur dijeni se viktima e tyre në momentin e varrosjes ka qenë i gjallë.
Fillimisht, prokuroria vendosi që të dënonte me “burgim të përjetshëm” Përparim Bojën dhe Fation Canin dhe 25 vjet burg për Luis Bojën. Por në vendimin e saj, gjykata mori në konsideratë dëshminë e gruas së Përparim Bojës, e cila pranoi përpara trupit gjykues se viktima Fatjon Barmeta e ngacmonte herë pas here. (XH.A/SHUPLAKA)