“Njerëzit inteligjentë nuk mund të jenë të lumtur”, ky është përfundimi i portalit të njohur amerikan “Learningmind”, i cili vazhdimisht publikon artikuj lidhur me shëndetin mendor dhe psikologjik.
Sipas psikologëve që shkruajnë në këtë portal, njerëzit inteligjentë mund të jenë të suksesshëm në punën e tyre dhe të kenë një familje të shëndetshme, por pavarësisht kësaj ata shpesh ndihen të trishtuar ose të vetmuar.
Madje edhe Ernest Heminguej ka thënë dikur:”Lumturia tek njerëzit inteligjentë, është gjëja më e rrallë që unë njoh”.
Por pse ndodh kjo dukuri tek njerëzit e zgjuar? “Learning mind” rendit 6 arsye:
- Njerëzit inteligjentë analizojnë me tepri gjithçka
Shumë njerëz me një koefiçent të lartë inteligjence, priren të jenë tejet reflektivë, duke analizuar vazhdimisht gjithçka që ndodh në jetën e tyre dhe më gjerë. Kjo mund të jetë e dëmshme, veçanërisht kur proceset tuaja të të menduarit ju çojnë në përfundime të padëshirueshme. A keni dëgjuar thënien ”Injoranca është lumturi”? Me siguri që është.
Sa më pak kuptoni, aq më të shkujdesur jeni, dhe për këtë arsye më të lumtur. Të qënit në gjendje për të lexuar mendjen e njerëzve dhe motivet e fshehta të tyre, është i mjaftueshëm që ndonjëherë të ndjeheni të zhgënjyer me të gjithë botën. Për të mos përmendur ndjenjat që shkaktohen nga reflektimi mbi çështjet filozofike, globale dhe dilemat e përjetshme të jetës, të cilat nuk kanë zgjidhje.
- Inteligjentët kanë standarde të larta
Njerëzit e zgjuar e dinë çfarë duan, ndaj dhe nuk kënaqen me më pak se aq sa synojnë, pa marrë
parasysh për cilën fushë të jetës po flasim. Kjo do të thotë se për ta është më e vështirë të jenë të lumtur me arritjet, marrëdhëniet e tyre dhe çdo gjë që ka një vend në jetën e tyre. Për më tepër, shumë njerëz me mendje të shkëlqyera teorike, ndodh të kenë një inteligjencë të dobët praktike dhe pikëpamje disi idealiste mbi botën. Pra, kur pritshmëritë e tyre përballen me realitetin e ashpër të jetës dhe njerëzit e tjerë, kjo në mënyrë të pashmangshme i çon ata drejt zhgënjimit.
- Njerëzit inteligjentë janë shumë të ashpër me vetveten
Një tjetër arsye pse njerëzit e zgjuar nuk arrijnë të jenë të lumtur, është se ata kanë pirjen të jenë shumë të rreptë me veten e tyre. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për arritjet dhe dështimet e dikujt. Inteligjentët dhe individët shumë reflektivë, e analizojnë shpesh veten dhe sjelljen e tyre në një mënyrë kaq rigoroze, a thua se qëllimisht kërkojnë elementë për të fajësuar veten.
Ndonjëherë, mund të qëndroni vetëm në shtratin tuaj në përpjekje për të fjetur gjumë, dhe papritmas ju kujtohet një situatë (e cila ndoshta ka ndodhur vjet, ose të paktën, muaj më parë) kur nuk patët vepruar në mënyrën si duhet të kishit vepruar. Kaq mjafton që të prishni gjumin dhe gjendjen tuaj shpirtërore. Njerëzit e zgjuar, e përjetojnë shpesh një lloj të tillë parafytyrimi të gabimeve të tyre të fundit. E gjitha kjo kultivon fajin, pakënaqësinë dhe emocione të tjera negative që mund të helmojnë lumturinë e dikujt.
- Realiteti nuk mjafton
Njerëzit me koefiçent të lartë inteligjence, nuk rreshtin kurrë së kërkuari për diçka më të madhe – një model, kuptim, qëllim. Ata më reflektivët dhe ëndërrimtarët nuk do ndalen me kaq – mendja e tyre e shqetësuar dhe imagjinata, nuk i lë të relaksohen dhe gëzojnë “gjërat e mira të jetës”. Realiteti është thjesht tepër i mërzitshëm për ta.
Njerëz të tillë vdesin për diçka fantastike, idealiste, të përjetshme… dhe natyrisht nuk e gjejnë këtë në botën reale. A jeni ndjerë ndonjëherë se nuk i përkisni kësaj kohe, dhe se duhej të kishit jetuar në një epokë të ndryshme, apo ndoshta edhe në një planet tjetër? Njerëzit shumë reflektivë dhe inteligjentë ndihen vazhdimisht në këtë mënyrë. Si mund të jeni i lumtur, kur ndjeheni si një i huaj në botën ku jetoni?
- Mungesa e komunikimit dhe të kuptuarit e thellë
Të qënit i kuptuar vërtet nga dikush, është një nga përvojat më madhështore që mund të ketë një qenie njerëzore. Sa ngushëlluese është të uleni me një person të ngjashëm nga pikëpamja e ideve diku në një vend të qetë, dhe të bëni një bisedë kuptimplotë, duke e ndjerë se ai i kupton idetë dhe pikëpamjet tuaja mbi botën … Mjerisht, njerëzit e zgjuar e kanë rrallë këtë kënaqësi. Shumica e tyre ndihen të vetmuar dhe të keqkuptuar , sikur askush nuk është në gjendje të shihë dhe vlerësojë thellësinë e mendjeve të tyre.
Tanimë është konfirmuar edhe shkencërisht, se që të jenë të lumtur, individët inteligjentë kanë nevojë për më pak socializim, se sa ata me nivele mesatare të inteligjencës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se njerëzit e zgjuar, nuk e duan ndërveprimin njerëzor dhe një bisedë të mirë. Ata thjesht preferojnë të flasin për gjëra interesante dhe kuptimplota, në vend se të diskutojnë mbi ushqimin, motin dhe planet që dikush ka për fundjavë. S’ka nevojë të theksohet se në ditët e sotme, është veçanërisht e vështirë të gjesh një person për të patur një bisedë të thelluar me të. Dhe kjo falë shoqërisë së sotme konsumatore dhe materialiste.
- Shumë njerëz me inteligjencë të lartë vuajnë nga probleme psikologjike
Ka pasur shumë studime që lidhin çrregullimet psikiatrike si ankthi social dhe bipolarizmi, me koefiçentin e lartë të inteligjencës. A mund të jenë këto kushte, një lloj efekti anësor i një gjeniu krijues dhe një mendjeje brilante? Kush e di, shkenca po përpiqet ende të zbulojë misteret e mendjes njerëzore. Në të njëjtën kohë, njerëzit inteligjentë që nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje mendore, janë ende të prirur për t’u prekur nga i ashtuquajturi depresioni ekzistencial, i cili është shpesh rezultat i të menduarit të tepruar.
Sipas psikologëve, nëse ju jeni nga ata persona që mendoni gjatë gjithë kohës dhe analizoni gjithçka në thellësi, ndaluni në një moment.
Ndaluni dhe reflektoni. Bëni një ri-vlerësim të jetës tuaj, mendoni për gjërat që keni arritur, ndoshta kjo do ju ndihmojë sadopak të mos zhyteni në trishtim. (D.D/Shuplaka)