”Do e gdhijmë para Parlamentit. Mblidhemi aty në orën 21:00. Një grup vajzash dhe djemsh. Të rinj dhe të vjetër. Jemi të vendosur.”, kështu marrim vesh se do ndodhte dje. Siç na thotë Aulon Kalaja, ata do vazhdojnë të kundërshtojnë Ligjin e Importit të Mbetjeve që është miratuar nga deputetët në Kuvend por që presidenti Bujar Nishani e ka rikthyer nëpërmjet dekretit.
Por zhvillimet, rrëfyer nga burime të ”Shuplaka”-s, nuk do të jenë kështu ditën e sotme. Mësohet se dekreti i Nishanit që ka rrëzuar projektligjin për plehrat miratuar në Kuvend nuk do të shqyrtohet. Burime nga Parlamenti bëjnë me dije se jo vetëm nuk ishte parashikuar në rend dite, por as sot nuk ka gjasa të futet.
Cili është problemi kryesor te Ligji i Mbetjeve? Puna me sa duket nuk qëndron te mbrojtja e industrisë ricikluese në vend por tek incineratorët: pika 1 e nenit 48, dhënia e lejeve për incineratorët.
”Këtë bindje e kam patur që në fillim dhe e kam ndarë dhe me miqtë e mi të AKIP-it. Ricikluesit po përdoreshin po nuk ishin ata qëllimi. Përkundrazi, ata për çështje kohe nuk do çuditesha të rreshtoheshin krah nesh.”, thotë për ”Shuplaka”-n, Brizida Gjikondi aktivistja e Aleancës kundër Importit të Plehrave.
Po çfarë mbetje kërkohen të importohen? Sipas të dhënave zyrtare 4 produkte kërkohen të importohen në Shqipëri, që së paku ricikluesit kanë interes: Skrap, Plastikë, Letër, karton. Për industrinë e riciklimit, sipas të dhënave zyrtare është investuar rreth 234 milionë Euro dhe punojnë rreth 35.000 punonjës. Shifrat thonë se kjo industri punon me 30 % te kapacitetit. Mirëpo ekspertët ambjentalistë që për herë të parë kanë një mendim dhe qëndrim unanim pa përjashtim për të kundërshtuar importin, i kundërshtojnë shifrat e importit të plehrave.
Laert Shehu, koordinator i Unionit të Ekspertëve të Mjedisit komenton se këto shifra importi janë të pavërtetuara për sa kohë nuk është prezantuar një studim i mirëfilltë fizibiliteti.
”Këto shifra janë që në dukje të pavërteta. Çmimet e tregut janë të ekzagjëruara pasi në të vërtetë nuk kemi studime të mirëfillta nga ekspertë për këtë qëllim. Burimet nga ricikluesit thonë se nuk ka kërkesë jashtë për granulat plastike dhe se çmimi është shumë i lirë. Investimet në fushën e riciklimit janë kryer para vitit 2013, kur ishte në fuqi ligji i importit, kush do të investonte pas këtij viti kur nuk lejohej importi?!”, pyet eksperti Shehu i cili shton se edhe shifra prej 35 mijë të punësuarish duket e lartë.
Eksperti ambjentalist hedh të tjera opisione të menaxhimit të mbetjeve. ”Pse nuk i menaxhojmë ne mbetjet tona? Kur kemi potencial të paktën 10-fishin e kapacitetit riciklues?! Ligjet dhe aktet nënligjore i kemi miratuar, të cilat detyrojnë njësitë e qeverisjes vendore të kryejnë grumbullim të diferencuar. Nëse do zbatoheshin këto ligje nuk do ishte nevoja të importonim mbetjet e botës. Janë qindra mijëra euro në vlerë nga mbetjet tona të riciklueshme, të cilat nga keqmenaxhimi apo mosmenaxhimi shkojnë përditë e shtretërit e lumenjve, deltat e derdhjes, digjen rendomtë apo groposen jashtë standardeve.”, argumenton më tej Shehu.
Eksperti i rikthehet edhe një herë pikës kritike: ndërtimit të 3 incineratorëve me djegie të mbetjeve. ”A është dikush në gjendje të justifikojë ndërtimin e 3 inceneratorëve djegieje të mbetjeve urbane. Këto furra prodhojnë energji dhe për të arritur këtë duhet të digjen mbetje organike që çlirojnë energji gjatë djegies si: plastika, goma, letra, kartoni etj. Pra ndërtimet e tyre konkurojne industrinë ricikluese duke iu marrë lëndën e parë.”, komenton Shehu. Eksperti i shtjellon edhe më tej argumentet kundër importit:
”Referuar nenit 48/1, pjesa e dytë është evazive jo e qartë dhe me e rrezikshmja në këndvështrimin tonë. Ajo nënkupton importin e lëndëve zëvëndësuese të parinovueshme për industrinë, si lëndë djegëse, pikërisht për furrat e bizneseve. Një tjetër aspekt që ekspertët shprehen kundër është rreziku nga kalimi i kundraligjshëm i mundshëm i mbetjeve të rrezikshme. Kjo është thjesht një pasiguri dhe mosbesim ndaj sistemit tonë në tërësi. Shkurt, ne nuk kemi infrastrukturën e nevojshme për të menaxhuar mbetjet e të tjerëve, madje nuk kemi infrastrukturën minimale të menaxhimit të mbetjeve vendase. Ricikluesit jane shprehur se interesi i tyre me qëllim konkurimin e tregut ndërkombëtar është që të riciklojnë mbetjet vendase, kostoja do të ishte 60 përqind e kostos nga importi, riciklimi dhe eksporti i produktit të ricikluar. Sa i përket kontrollit nga ekspertët të pikave doganore, siç sugjerohet me ndryshimet e kryera, ky do të ishte mision i pamundur, proces i dështuar që pa u miratuar.”
GJIKONDI: RICIKLUESIT PO PËRDORESHIN, NJË PLAN MË I MADH: INCENERATORËT
Dekreti nuk ka kaluar në rend dite sot në Kuvend. Cilat do jenë hapat e Aleancës kundër Importit të Plehrave?
Për sa kohë Dekreti i Presidentit nuk ka kaluar për shqyrtim në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese që drejtohet nga z. Shalsi (nismëtar i Importit te Mbetjeve) normalisht edhe nuk kemi procedim të këtij Dekreti në Parlamentin shqiptar. Mos harrojmë që është seanca e fundit e këtij viti.
AKIP gati çdo mbrëmje realizon takime, i fundit ishte dje ku të gjithë ne anëtarët e saj, shkëmbejmë informacion, vendosim për ecurine e aksionit tonë dhe vendosim me unanimitet për vendimet e ardhshme.
AKIP në çdo moment është në gadishmëri numër një, për momentin ne po presim që Parlamenti shqiptar të shprehet për Dekretin e Presidentit, e ka detyrim ligjor dhe kushtetues të shprehet, kjo zvarritje vërteton papjekurinë e tyre politike, tregon krizen politike që po kalojnë duke mos patur votat si dhe arsyet e tyre të errëta që i shtynë në këtë iniciative ligjore që unë kahershëm e kam quajtur tradhëti kombëtare.
AKIP përpos thirrjes që brenda pak orësh do i drejtojë klasës politike në lidhje me këtë situatë skandaloze, do ndërmarrë një fushatë sensibilizimi për pastrimin e Shqipërisë. Për t’i vërtetuar kësaj klase të dështuar politike. Se Shqipëria është e para, është mbi të gjitha. Dhe në rast se ky shtet nuk funksionon dhe nuk e do këtë vend, ka disa njerëz të përgjegjshëm që vullnetarisht ndihmojnë që Shqipëria të pastrohet dhe shqiptarët të informohen për ndarjen në burim të mbetjeve.
Teknikisht, cili është raporti i votave që duhen në kuvend për të mos e miratuar, çfarë u kanë premtuar palët politike?
Si juriste që jam di që pranimi i Dekretit të Presidentit ose rrëzimi i tij, kërkon detyrimisht 71 vota. Nisur nga deklaratat zyrtare dhe publike të PD dhe LSI rezulton që zoti Shalsi këto vota nuk i ka. Siç nuk ka as kurajon që mbas atij agresioni të tijin dhe zotit Rama kundrejt aktivistëve civile që dolën kundër importit, të pranojnë që kanë dështuar, siç dështuan me armët kimike. Gjithashtu edhe loja e tyre djallëzore që përballë aktivistëve civilë dhe ambjentalistëve vendosnin ricikluesit rezultoi një tragjikomedi.
Nëse i bëjmë një zbërthim ligjit që ata duan të miratojnë dhe kërkesës së ricikluesve, cila është e vërteta sipas jush. Çfarë rrezikon konkretisht Shqipëria?
Ne nuk e kemi problemin me ricikluesit, dhe qeveria nuk duhet të fshihet mbrapa tyre se gjoja ka hallin e krizës së tyre financiare, JO. Po të shikohet me kujdes Neni 48/1 që ata kërkojnë të aprovojnë, kuptohet që çështja orientohet drejt djegies së plehrave dhe jo riciklimit të tyre dhe kjo bëhet kryekeput për të favorizuar bizneset e huaja dhe jo ato vendase. Edhe vendimet e fundit të qeverisë shqiptare në ngritjen e Incineratorëve nëpër Shqipëri, sidomos ai i Tiranës, tregojnë që janë të kapaciteteve shumë më të mëdha se sa mbetjet që prodhon Shqipëria. Pra qeveria shqiptare, preferon mënyra antikombëtare, antiambjentaliste dhe me përfitim të shpejtë përpara dashurisë dhe zhvillimit të shëndetshëm kombëtar.
Të ndalojmë te incineratorët…A është e vërtetë që importet e plehrave do i përdorin kryesisht ata dhe jo ricikluesit shqiptarë që po lobojnë nëpërmjet ankesave se s’kanë material për të punuar?
Këtë bindje e kam patur që në fillim dhe e kam ndarë dhe me miqtë e mi të AKIP-it. Ricikluesit po përdoreshin po nuk ishin ata qëllimi. Përkundrazi, ata për çështje kohe nuk do çuditesha të rreshtoheshin krah nesh.
Është rrëzuar Shalsi. Vërtetohet me bilancet e tatimeve që ricikluesit shqiptarë kanë dalë me fitim jo me humbje, ndaj Shalsi gënjen, tjetër kund e kanë patur hallin që duan të sjellin gjithë plehrat e botës në Shqipëri. Nuk zhvillohet vendi as me fajde, as me hashash as me plehra, duhet zhvillimi i qëndrueshëm, i shëndetshëm dhe stimulim i punës kreative. Këta po i dëbojnë edhe këta pak shqiptarë të mirë që kanë mbetur.
Pra ju hidhni dyshime te një plan më i madh…
Po të shikohen me kujdes datat e krijimit të shoqërisë së përbashkët shqiptaro-italiane (Tiranë Veronë) koincidojnë me projektligjin e Importit të Mbetjeve që papritur hyri në axhendën e parlamentit shqiptar, ditën e fundit të Qershorit 2016. Po këto hetime dhe verifikime janë pjesë e gazetarisë investigative jo e imja.
Edhe nje pyetje të fundit. Çfarë dëmi ka sasia e plehrave që do futet, domethënë ma shpjego sikur jam 6 vjeç… Sa të sëmurë me kancer do shkaktojë shtesë në një vit kjo sasi?
Në Shqipëri nuk ke pikën e kontrollit për asgjë… jo më për plehrat që në vetvete në stadin e degradimit që janë, janë sëmundje e gjallë, askush nuk e di dhe nuk kontrollon çfarë hyn këtu.. mund të hyjë çdo gjë toksike, radioaktive, plehra me pak fjalë.. dhe mos harro Italia është e mbytur në plehra.. mafia aty e nxjerr lekun.. në Napoli, Veronë dhe Romë.. si hyri 1 kile si hyri 1 ton.. njësoj është, s’ka besë s’ka kontroll! Shqipëria s’ka takat, pasi është e mbytur nga plehrat e veta. S’ka kapacitet.. s’ka staf të kualifikuar. /Valmora Gogo-SHUPLAKA
KONTRATAT E HULUMTUARA:
1.Bashkia e Tiranës ka hartuar projektvendimin që t’i kalojë pa kundërshpërblim shoqërisë “Eco Tirana”, Parkun e Transporteve në rrugën “Don Bosko”, me një sipërfaqe toke prej rreth 22 000 m2. Kjo sipërfaqe (deri tani pronë e Bashkisë Tiranë) i jepet me qëllim ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për ushtrimin e funksioneve të shoqërisë “Eco Tirana sha”. Shoqëri kjo e krijuar në maj për menaxhimin e mbeturinave dhe ku Bashkia ka 51% të aksioneve. Afati i përdorimit do të jetë 25 vjet, shkruan revista ”Monitor”.
2.Kompania “Integrated Energy B.V.” është kompania e preferuar e qeverisë për fitim e koncesionit 30 – vjeçar të radhës me vlerë 140 milionë euro. Në Maj 2016, përpara se ajo të regjistrohej zyrtarisht si kompani në Hollandë, ”Integrated Energy” paraqiti propozimin e pakërkuar në Ministrinë e Mjedisit. Pas vlerësimit të propozimit, qeveria vendosi të filloi procedurat e tenderimit për këtë projekt. Me datë 7 dhjetor 2016, qeveria miratoi një vendim, i cili i jep kompanisë një bonus prej tetë përqind të pikëve në procedurën e konkurrimit. Ky vendim e favorizon kompaninë në krahasim me kompanitë e tjera të cilat mund të marrin pjesë në konkurrim. Sipas relacionit të Ministrisë së Mjedisit, i cili shoqëron vendimin e mësipërm, del qartë se kompania private do të ofrojë një shërbim për qytetarët, për të cilin do të paguhet direkt nga shteti, nëpërmjet shitjes së energjisë së prodhuar nga plehrat tek KESH, shitjes së materialeve të riciklueshme dhe pagesës direkt me tarifa ende të papërcaktuar nga bashkitë që pjesë e qarkut Tiranë, shkruan ”Exit.al”
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”262″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]