Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat kanë arrestuar dy policë të Krujës. Ata kanë qenë pjesë e patrullës së përgjithshme të policisë gjatë shoqërimit të Edison Pulës, ditën e djeshme në aksionin e Krujës.
Akuza që rëndon mbi ta është neglizhencë gjatë ushtrimit të detyrës. Ai u arratis gjatë shoqërimit për në ambjentet e paraburgimit të Fushë-Krujës.
Emrat e të arrestuarve janë Denis Cela 22 vjeç dhe Naim Stafuka 39 vjeç. Ndërkohë që në gjendje të lirë do të hetohet dhe një tjetër person, oficeri me inicialet G.T.
Si ndodhi arratia, njoftimi i policisë natën e mbrëmshme:
“Mbrëmjen e sotme, duke përfituar nga pakujdesia e dy Punonjësve të Policisë, në momentin e transferimit nga Stacioni i Policisë Fushë-Krujë në Komisariatin e Krujës ka kapërcyer murin rrethues dhe është arratisur shtetasi Edison Pula, 21 vjeç, banues në Krujë. Pula ishte ndaluar sot, në kuadër të operacionit”Shënjestra”ku u arrestuan në flagrancë dy shtetas, ndaluar 7 të tjerë dhe shpallur në kërkim një tjetër. Policia ka rrethuar dhe po kreh të gjithë zonën përreth me qëllim kapjen e shtetasit të arratisur. SHÇBA-ja po verifikon shkeljen e rregullave të Shërbimit nga Punonjësit e Policisë që kanë qenë me detyrë për shoqërimin e shtetasit të mësipërm.”(E.K/SHUPLAKA)