Nga Altin Bamllari
Thuhet se 80% të vendimeve njeriu i merr nën presionin e frikës dhe, për rrjedhojë, shumica e tyre janë zgjedhje të këqia. Shkatërrimtare, do thoja unë.
Frikë nga sëmundjet, frikë nga vetmia, frikë nga e shkuara, frikë nga e ardhmja, frikë nga të fortët, frikë nga pushteti, frikë nga opinioni, frikë nga dështimi, frikë nga depresioni, frikë nga çmenduria. Frikë, frikë, frikë… Mbretëresha e tyre, frika nga vdekja.
Përveç bebeve të sapolindura (derisa atyre t’iu thuhet “mos këtë e mos atë”), s’ka njeri mbi këtë dhe që mos ketë provuar njëherë të vjellë, përmjerë, t’i thahet fyti, djersijnë duart apo t’i shqyhet zemra nga tmerri i kësaj ndjenje të kobshme.
Aq e pushtetshme është ajo sa njerëzit po shkatërrojnë përfundimisht veten me vendimet e këqia që marrin orë e çast. Fjala vjen, nga frika e sëmundjeve dënden me ilaçe e vdesin të sëmurë; nga frika e opinionit ndrydhin vetveten; nga frika e dështimit zgjedhin të bëjnë gjëra që s’i kanë dashur kurrë; nga frika e të fortëve jetojnë të depersonalizuar; nga frika e pushtetit përvidhen të nënshtruar, nga frika e vetmisë rrëshkasin në depresion, nga frika e të ardhmes nuk jetojnë të tashmen e kështu me radhë, deri te frikërat më qesharake.
Sot në parlament pashë një njeri që nuk iu drodh qerpiku dhe më pëlqeu. Kanë folur edhe të tjerë më parë, por, ndryshe nga ai, nuk kanë qenë të vetëm. Nga pas kanë patur qindra e mijëra qytetarë që për guximin e tyre të marrin gjak në vetull. Ndonjëherë njerëzit ngatërrojnë burrërinë me muskujt, zërin e lartë, egërsinë e tipareve apo trimin me shokë shumë. Ben Blushi sot tregoi që burrëria është të vrasësh frikën, qofsh edhe i vetëm.
(Sa keq që s’bëhem dot i majtë)
*Drejtor i Revistës Shije