Emisioni “Opinion” po debaton puntatën e sotme lidhur me deklaratën publike të Prokurorisë së Përgjithshme se në kuadër të dekriminalizimit janë konstatuar fshehje të rekordeve kriminale në dy deputetë, Dashamir Tahiri i PD-së dhe Shkëlqim Selami i LSI-së. Për këtë shkak organi i akuzës i është drejtuar KQZ-së për veprime të mëtejshme, siç janë heqja e mandateve.
Gazetari investigativ Artan Hoxha ka thënë se Prokuroria ka gjetur një zgjidhje perfekte: nga një individ nga të tria partitë kryesore në vend.
“Në rast se për çështjen Balili u prit 7 muaj, siç e ka legjislacioni shqiptar pse për rastet e këtyre nuk është pritur? Unë e kam pritur prej kohësh që Prokuroria të reagonte , por në rastin konkret ata kanë gjetur një zgjidhje perfekte. Kanë gjetur tre përfaqësuesit nga 3 partitë kryesore parlamentare shqiptare. Një nga PS, një nga PD dhe një nga LSI, për të qënë të balancuar të tre. Prandaj nuk shkon kjo histori, duket që ka një kleçk mbrapa. Ata i kanë implikuar të treja partitë politike për të thënë që janë në rregull”, është shprehur Hoxha.
Përveç dy deputetëve, Prokuroria kërkon edhe heqjen e mandatit të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. (A.R/SHUPLAKA)