Nga Agim Hushi
Më së fundmi, pas 25 vitesh mungesë pata rastin të ndiqja nga ekrani festivalin e 55 të RTSH-së.
Ish-tempulli i muzikës së lehtë shqiptare për fatin tonë tragjik ia kishte kaluar edhe tallavasë për nga niveli i rënies së lirë.
Sinqerisht do t’i kërkoja Thoma Gëllçit të jepte dorëheqjen po të isha dikush në qeverinë e Rilindjes, përveç Dylqinës sonë të kulturës që numëron veç suksese dhe që tashmë po shtron rrugën drejt parlamentit të ardhshëm për ta ndritur dhe politikën.
Më erdhi vërtet keq për Kasemin dhe dramën e tij personale: vënien e tij në një skenë të tille plot pergjegjesi ku me gjithe “suksesin e tij berlinez” siç e quajti ai veten e tij, ishte një mjerim i dhimbshëm.
Që nga personaliteti skenik, aktrimi shterp, diksioni, pasiguria, papërgatitja. Mjerë Dhimiter Gjoka, Timo Floko, Reshat Arbana apo Robert Ndrekina si do jenë ndjere duke e parë.
Prezantuesja bjonde që solli në skenë një vetsiguri tragjike, aq sa nuk iu drodh syri të hynte në skenë jo vetëm me mbathje, (mbuluar me tyl në fakt), por të konkuronte edhe vetë Mary Lynn (jua rekomandoj ta dëgjoni këtë grua se do t’ju shkrijë gazit), me Habaneren e saj.
Ishte padyshim një tregues se sa e papërgjegjshme ishte ajo skenë, sa poshtë kishte rënë tempulli shqiptar i muzikës së re.
Padyshim dështimi muzikor ishte aq i ndjeshem sa jo vetëm dëshira për të mbyllur televizorin por edhe kujdesi për të ruajtur veshët nga tinguj aprofesionalë, stonaturat që ishin aq të shumta apo nga çirrjet, ishin prezente gjatë gjithë kohës që “performohej”.
Fonia dhe regjia televizive ishin vërtet probleme evidente, duke ndikuar ndjeshëm në këtë mjerim artistik të shënuar si festivali 55 i RTSH.
U ndjeva i trishtuar, i indinjuar dhe vendosa të mos hesht para kësaj drame kombëtare, siç po bën për fat të keq, “elita” e artit tonë me “ç’na duhet ne”
E turpshme, e pafalshme, e patolerueshme profesionalisht të mos jenë me krijimtarinë, pranine në Juri apo asistencën e tyre profesionale Limoz Disdari, Shpëtim Kushta, Enver Shëngjergji, Agim Krajka e plot të tjerë.
Ku është Irma Libohova Kaso, Myfarete Laze, Manjola Nallbani, Alban Skënderaj, Kozma Dushi, Bashkim Alibali….
Siç bën San Remo ku e reja ndërthuret fuqishëm me sigurinë dhe dinjitetin e traditës dhe ku spektaklet ruajnë dinjitetin dhe cilësinë e tyre me fanatizëm.
E patolerueshme të mos ketë një vokalist që t’u mësojë këngëtarëve si hapet goja, si ruhet regjistri, si mbahet ne kontroll intonacioni.
E pafalshme që në një aktivitet kombëtar nuk thirret një regjisor apo koreograf për lëvizjet skenike ku të gjithë “këngëtarët” bëjnë siç t’u vij dhe shpesh bëhen qesharake me pafajësine e tyre.
Skenari i festivalit ishte i dobët: gjetje pa emocione, në disa raste personalizime të skenës pa efekt dhe gati neveritese.
Si ekspert por dhe qytetar i këtij vendi u ndjeva i fyer për këtë prezantim, në të vërtetë ngjarje dramatike kombetare për kulturën….
Dhe po flas se më dhemb, fola se mundemi të jemi aq dinjitoz sa ç’ishte Vaçja, Ema, Tonini , Prodani, Feim Ibrahimi….
Dinjitoze ishte Orkestra Simfonike RTSH Offical, dirigjentët në trajtimin muzikor dhe publiku ynë, që dinë gjithmonë të vlerësoj siç bëri me ngritjen në këmbë për kujtimin e Vaçe Zelës.
Thoma Gëllçi e di mirë se një festival i tillë, me këtë cilësi do alarmonte shtetin e dikurshëm.
Por për fatin tonë, jo këtë të sotmin.