Pas vrasjes së ambasadorit rus në Turqi javën e kaluar, hetimet ende vazhdojnë.
Mediat turke raportojnë, se policia i ka lënë sot të lirë familjarët e autorit, ish-polici Mevlut Mert Altintas.
Të dy prindërit, motra, dy xhaxhallarët dhe një hallë e vrasësit ishin ndaluar nhga policia për t’u marrë në pyetje dhe për të zbuluar më shumë rreth të riut, cili u ekzekutua nga policia menjëherë pas ngjarjes.
Megjithatë sipas policisë turke, familjarët e Altintas-it nuk dhanë shumë informacione.
Ata u shprehën se kontaktet që kishin me autorin e vrasësit ishin shumë të rralla dhe shprehen se nuk ishin në dijeni të planit të tij.
Megjithatë mësohet se ata kanë komunikuar në telefon pasditen para se të ndodhte ngjarja. Nëna e 22-vjeçarit u tregoi forcave të policisë se ai e kishte telefonuar rreth orës 16:30 ose 17:00.
Por biseda e tyre ka qenë mëse e zakonshme, pasi kanë shkëmbyer vetëm pyetje rreth shëndetit. Avokati i familjes insiston se telefonata midis tyre ka qenë tejet e shkurtër.
Ambasadori Andrey Karlov, u qëllua me armë zjarri në momentin kur po mbante fjalim gjatë një ekspozite të artit pamor në Turqi. Edhe pse u dërgua në spital, ai nuk arriti dot t’i mbijetonte plagëve.(D.D/Shuplaka)