Dje u nda nga jeta një nga aktorët më të dashur për publikun shqiptar. Ai ka luajtur disa role në kinematografi dhe teatër, role që e bënë atë mjaft familjar me publikun. Shkak për ndarjen e tij nga jeta u bë arresti kardiak në mëngjesin e ftohtë të ditës së djeshme.
Bujar Lako niset sot për në banesën e fundit nga shtëpia e tij, siç ka dashur e ka lënë amanet para se të vdiste. Të pyetur pse nuk bëhen homazhet në teatër, miq e të afërm thanë se kështu ka dashur ai, nuk ka dashur të shkonte në teatër.
Teatri Kombëtar njofton se “homazhet për t’i dhënë lamtumirën e fundit aktorit tonë të madh, Bujar Lako, do të mbahen në banesën e tij. (Adresa: rruga “Myslym Shyri”, rrugica e tregut çam, kthesa e parë majtas, 100 metra larg). Përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet nesër në orën 11.00. Kontributi dhe vlerat e tij artistike do të mbeten gjithmonë të përjetshme”.
Bujar Lako lindi në Tiranë më vitin 1948. Karierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i G. Erebarës dhe “Perballimi” i V. Gjikës. Pas kësaj ai realizon një sere figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni” V. Gjika, “Udha e shkronjave” V. Prifti, “Ballë per ballë” K. Çashku, P. Milkani, “Kthimi i ushtrisë se vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime” Dh. Anagnosti, “Amiko” Cizia Zyke, produksion francez.
Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçomë: “Vizita e inspektorit” Xh. Pristli, (Dh. Pecani), `Monserati” E. Robles (P. Mani), “Vdekja e një komisioneri” A. Miler (F. Haxhiraj), “Vdekja e Dantonit” Byhner (V. Milçin), “Ditë vere” Mrozhek, (B. Lako), “Ariu” Çehov (S. Duni) etj. Në vitin 1992 interepreton në Teatrin e Kombësive ne Shkup në produksionin “Varrtarët” . (E.K/SHUPLAKA)