Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka kërkuar së fundmi ngritjen me urgjencë të komisionit qeveritar që do të shqyrtojë situatën emergjente të krijuar së fundmi në Zharrëz.
Në një prononcim për mediat, ai u shpreh se situata e grevistëve në Zharrëz është përkeqësuar, ndaj duhet të nisë sa më parë ndërhyrja.
“Koha nuk pret për zgjidhjen e kësaj çështje. Duhet të ngrihet me urgjencë komisioni qeveritar për situatën e krijuar në Zharrëz në mënyrë që të fillojë ndërhyrja emergjente. Gjendja e grevistëve të urisë është e rëndë dhe letra e deputetëve shpreh shqetësimet e komunitetit.”, u shpreh Vasili.
Gjendja e grevistëve të urisë u rëndua mbrëmjen e djeshme, ku u nevojit transportimi i disa prej tyre në spital. Protesta e banorëve të fshatit Zharrëz në Fier, nisi që pas raportimit për tërmet në këtë zone më 19 dhjetor. (XH.A/SHUPLAKA)