Në fillim të 2017-s pritet të hyjë në fuqi mekanizmi i ri për pezullimin e vizave. Një mekanizëm i tillë ekziston, megjithëse nuk është përdorur ende.
Por, versioni i ri mes institucioneve të BE-së, midis të tjerash, i mundëson edhe Komisionit, jo vetëm vendeve anëtare të prekura, që të kërkojë si zgjedhje të fundit, në raste specifike, rikthim të përkohshëm të vizave ndaj vendeve përfituese problematike.
Në një intervistë për RTSH, zëdhënëse e KE-së Tove Ernst, tha se kjo bëhet me qëllim për të forcuar marrëdhëniet me vendet të cilat BE ka regjimin e lëvizjes pa viza.
“Së pari, ne e kemi një mekanizëm për pezullimin e vizave në fuqi me rregulloren tonë të vizave dhe ajo që bëjmë tani është përforcimi i këtij mekanizmi, në mënyrë që të forcojmë politikën tonë të liberalizimit të vizave. Nuk është një mekanizëm për pezullimin e vizave vetëm ndaj një vendi, apo rajoni, por u takon më shumë se 60 shteteve me të cilat ne kemi marrëveshje për regjimin e lirë të udhëtimit. Në themel, kjo mundëson rivendosjen e vizave, në mënyrë më të shpejtë se përpara, megjithëse nuk është përdorur edhe më parë, por tani vendimi mund të merret më shpejt, në rastet e dyndjes së migrantëve të parregullt dhe të rrezikshmërisë së lartë të sigurisë. Kjo bëhet vërtet me synimin e forcimit të politikës sonë, për të mundësuar vazhdimin e dialogut të vizave, si dhe për të forcuar marrëdhënien me ato vende, me të cilat ne kemi regjimin e lëvizjes pa viza”.
Sipas zëdhënëses, sistemi europian i autorizimit të informacionit të udhëtimit ETIAS, nuk është aspak vizë, por tërësisht diçka tjetër, që synon të lehtësojë udhëtimin pa pengesa të atyre që duan të hyjnë në BE. Nëpërmjet këtij sistemi, BE mund të verifikojë nëse ata përbëjnë rrezik për sigurinë publike, apo janë emigrantë të parregullt, përpara se të paraqiten në kufi.
Ndër të tjera Ernst u shpreh se, Aplikimi ‘online’ për këtë merr vetëm pak minuta dhe u nevojiten të dhënat e pasaportës. Ai kushton 5 euro dhe zgjat për 5 vjet.
“Kjo do të na mundësojë verifikimin për rrezikun përpara kalimit të kufirit, për të parandaluar që njerëzit të refuzohen pasi të kenë ardhur deri në kufi, pasi informacioni do të jetë marrë përpara se të kryhet udhëtimi, që ata mund ta planifikojnë.
Formulari plotësohet përmes internetit dhe brenda pak minutash merret përgjigjja, që duhet treguar në kufi. Kjo nuk i takon veç një shteti apo një rajoni, por për të gjithë qytetarët që lëvizin pa viza në Europë, të cilët duhet ta plotësojnë në kohë përpara se të kalojnë kufirin, ku do të verifikohet. Kjo kushton 5 euro dhe është e vlefshme për 5 vjet.
Pra, është një procedurë shumë e thjeshtë, eficiente dhe mjaft e kuptueshme për përdoruesit, çfarë synon gjithashtu vazhdimin e politikës sonë për liberalizimin e vizave dhe për të mbajtur marrëdhënien ekzistuese me vendet që kemi regjim të lëvizjes së lirë. Pra, është një element që forcon marrëdhënien tonë dhe lëvizjen e lirë të udhëtarëve. Ky është qëllimi”, sqaron zëdhënësja e KE-së.
Më pas ajo shtoi se të moshuarit, ose personat që nuk kanë qasje në internet, apo nuk kanë llogari bankare, mund ta bëjnë kërkesën përmes të afërmve të tyre, apo agjencive të udhëtimit.
Por, aplikimi mund të bëhet edhe në kufirin hyrës europian, pasi parashikohet vendosja e pajisjeve të posaçme për këtë qëllim, por kjo mund të shkaktojë radhë të gjata e vonesa për udhëtarët e pranuar. (D.D/Shuplaka)