Aldi Lleshaj 20 vjeç, është autori i grabitjes së një “Porsche”, gjatë së cilës u përball me forcat e policisë duke lënë të plagosur njërin prej efektivëve të angazhuar në aksionin për kapjen e tij. Ai vijon ende të qëndrojë në Spitalin e Traumës ku po mjekohet pasi mbeti i plagosur në këmbë.
Gjatë qëndrimit në spital, ai mbahet 24 orë nën vëzhgim nga dy punonjës policie. I pyetur nga një portal online lidhur me motivet që e shtynë të kryente këto krime, i riu shprehet se as vetë nuk i ka të qarta motivet.
“Nuk e di as vetë pse e bëra. Në fakt, nuk doja dhe nuk kisha ndërmend ta qëlloja policin. Ishte gjëja e fundit që më vinte ndërmend. Por në një moment, ashtu ma dha truri. Nuk e di pse e bëra”, mësohet të ketë thënë ai.
Më tej, 20-vjeçari ka treguar se gjatë qëndrimit në Itali ka kryer disa vjedhje, por nuk i ka ndodhur gjë, ndryshe nga këtu: “Isha mësuar në Itali. Atje e kisha më të lehtë. Nuk më ndaloi asnjë polic asnjëherë.”, ka treguar Aldi Lleshaj. (XH.A/SHUPLAKA)