Marjan Levanti, autori i plagosjes së 3-fishtë pak ditë më parë në zonën e “Unazës së Re”, ka sqaruar përpara Prokurorisë arsyen përse kishte shkuar në shtëpinë e familjarëve të bashkëshortes së tij natën e ngjarjes.
Në dëshminë e tij përpara Prokurorisë, ai ka pretenduar se ndaj djalit të mitur të tij, ish-vjehrri ka ushtruar dhunë. Sipas Levantit, i mituri keqtrajtohej nga vjehrri, duke e detyruar atë të shkionte më 23 dhjetor tek shtëpia e familjarëve të ish-gruas.
Pas kësaj deklarate, Prokuroria ka urdhëruar ekzaminimin mjeko-ligjor të 7-vjeçarit me qëllim verifikimin e këtij pretendimi. Një e përditshme online bën të ditur se i mituri pritet të merret në pyeje në prani të psikologut.
Marjan Levanti u vu në pranga pas denoncimit për plagosjen e ish-vjehrrit, ish-vjehrrës dhe ish-kunatit të tij. Pak çaste përpara arrestimit nga policia, ai tentoi të hidhej nga pallati teksa shprehej se më mirë vetëvritej se sa të shkonte sërish në burg.
Gjatë qëndrimit në paraburgim, ai tentoi në qeli t’i jepte fund jetës duke përdorur batanijen. (XH.A/SHUPLAKA)