Edi Rama i kundërpërgjigjet menjëherë Lulzim Bashës pas denoncimit të tij për investimet 10 milionë euro që sipas kreut të PD-së do të kryheshin nga kryeministri për luksin e tij personal.
”10 milionë euro do të harxhojë Rama për sallë konjaku dhe puro, restorant personal dhe sallë masazhi”, tha sot Basha.
”Këto para do të financojnë luksin dhe argëtimin në godinën e tij. Një restorant personal. Një bar personal. Një sallë për konjak dhe puro. Një sallë masazhi dhe fizioterapie. Një sallë kinemaje. Një sallë ekspozitash. Një sallë basketbolli. Buxheti 2017 për qejfin e kryeministrit, jo për hallet e njerëzve.”, denoncoi më tej ai.
Por Rama i është përgjigjur me këtë reagim:
”Kur gënjeshtra i ka këmbët e gjata dhe fytyrën mbuluar me maskën tallëse të pafytyrësisë, shumëkush e ngatërron gabimisht me politikën; në fakt është vetëm pengmarrja e politikës për qëllimin më të ulët, synimin e pushtetit duke helmuar e çoroditur sa më shumë njerëz, në një përpjekje të harbuar për asgjësuar shpresën përmes asgjësimit të të vërtetave, shkatërrimit të provave, zhdukjes së fakteve!
Ja një shembull fantastik i politikës si tallje me njerëzit, si shprehje ekstreme e vulgaritetit, si lojë e pacipë gënjeshtrash në mungesë të një vizioni, programi, lidershipi e skuadre, që duhet t’u ofronte shqiptarëve alternativën e opozitës për ta bërë më të mirë atdheun e përbashkët…”(V.G/SHUPLAKA)