Ukë Rugova, djali i ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, akuzohet si i përfshirë në trafik droge, armësh e mallrash, ndërsa konsiderohet edhe si një person shumë i rrezikshëm.
Të paktën kështu shkruan sot mediat italiane duke u bazuar në dosjen me emrin “Grande IV” e publikuar nga “Insajderi”.
Profili i Rugovës përshkruhet në procesverbalin e seancës dëgjimore kundër ish-ambasadorit italian në Kosovë, Michael Giffoni.
Ai ishte thirrur në një seancë dëgjimore më 26 maj të vitit 2014 nga Bordi Disiplinor i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, pas dyshimeve për keqadministrim të sektorit të vizave gjatë udhëheqjes së ambasadës nga Giffoni.
Sipas autoriteteve italiane, keqadministrimi ishte bërë për favor të një politikani të dyshimtë kosovar.
“Burime të ndryshme dhe të besueshme, brenda dhe jashtë zyrës italiane në Kosovë (të dyja konsiderohen si konfidenciale), na njoftuan për klanin e udhëhequr nga Ukë I. Rugova, djalin e ish-Presidentit të Republikës, Ibrahim Rugova”, thuhet procesverbalin e kësaj seance dëgjimore.
Sipas dokumentit, të njëjtat burime dëshmojnë se Ukë Rugova dyshohet për përfshirje në trafikimin ndërkombëtar të drogës, armës dhe kontrabandimit të mallrave.
Megjithatë Giffoni kishte mohuar se kishte qenë në shërbim të klanit të udhëhequr nga ish-deputeti, Ukë Rugova.
Përveç kësaj, në dokument thuhet që Ukë Rugova ka miqësi të afërt me një të kërkuar nga Interpoli, i cili ishte dënuar për përfshirje në trafikun e drogës.
Izet Beqiri akuzohet si drejtues e mbikëqyrës i grupit të akuzuar kriminal që përfitonte shuma të mëdha parash nga njerëzit që kishin nevojë të pajiseshin me Viza Shengen.
Si Rugova, edhe Beqiri, pritet të dalin para gjykatës gjatë vitit të ardhshëm. (D.D/Shuplaka)