Frika nga sulmet terroriste asnjëherë nuk shuhet këto muajt e fundit, dhe festat e fundvitit janë një nga ngjarjet më ‘’të frikshme’’. Kjo pasi për të kryer sulme terroriste në ditë festash është relativisht më e lehtë.
Kudo ka njerëz më të shumtë në numër që grumbullohen, ka rrëmujë, muzikë, dhe mbi të gjitha ka dëshirë të shtuar të terroristve për të goditur pikërisht në moment gëzimi.
Një grup pro-Shtetit Islamik i bëri thirrje mbështetësve të xhihadistëve të kryejnë sulme në vende të tilla si spitale e tregje në Europë gjatë periudhës së festave dhe urdhëroi myslimanët të qëndrojnë larg festimeve të krishterëve.
Fondacioni Nashir Media, që mbështet Shtetin Islamik, postoi një mesazh online të shoqëruar me imazhin e luftëtarëve me armë dhe thika e një pemë Krishtlindjesh, raporton faqja me bazë në Amerikë US SITE Intelligence Group, që monitoron grupet militante.
“Festimet e tyre, bashkimet, klubet, tregjet, teatrot, kinematë dhe madje spitalet janë objektiva perfekte për ju,” thuhej në mesazhin online të xhihadistëve. “Fishekzjarrët të zëvendësohen me eksplozivë dhe këndimet e tyre të kthehen në vajtime”.
Mesazhi rikujtoi mbështetësit e Shtetit Islamik për të sulmuar konsullatat dhe ambasadat turke. (E.K/SHUPLAKA)