Në kuadër të ligjit “Për dekriminalizimin”, po verifikohen njëzet zyrtarë të lartë, të cilët i bashkangjiten listës së nënpunësve që Prokuroria po verifikon.
Burime të Prokurorisë kanë bërë me dije se ndër 20 zyrtarët e lartë përfshihen deputetë, kryetatë bashkish dhe njerëz me detyra të tjera të këtij niveli.
Sa i takon procedurës së verifikimit të të dhënave, mësohet se është fillimisht Departamenti i Administratës Publike që përcjell pjesën dërrmuese të rasteve duke qenë se ky department ka numrin më të madh të subjekteve që kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit.
Më pas, është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Prokuroria që në mënyrë individuale e më pas në bashkëpunim me njëra-tjetrën nisin verifikimin e rasteve.
“Kërkesa për verifikim vjen nga KQZ-ja kur ka të dhëna për një funksionar por edhe Prokurori i Përgjithshëm ka iniciativë për të kërkuar verifikim, në bazë të indicieve që siguron në rrugë ligjore”, është shprehur një burim i Prokurorisë.
Sa i përket listës më të fundit me rastet e 20 zyrtarëve, mësohet se ata janë pjesë e numrit të përgjithshëm prej 570 rastesh që janë duke u trajtuar.
Verifikimi i tyre bëhet i ditur se ka nisur në të dyja mënyrat, si nga ana e KQZ-së dhe nga ana e Prokurorisë.
E njëjta procedurë mësohet se është ndjekur edhe për rastin e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshit, referuar burimeve të një portali online. Konkretisht, Prokuroria kishte indicie dhe bazuar në to, i kërkoi KQZ-së nisjen e verifikimit fillestar dhe rezultatet që do gjente, t’i ridërgonte në Prokurori për verifikim më të thelluar.
E njëjta procedurë ka ndodhur edhe në vijim pas kthimit të dosjes nga KQZ-ja në Prokurori. Pas provimit të dyshimeve, është vendosur që organi i akuzës t’ua kalojë dosjen prokurorëve për hetim penal. (XH.A/SHUPLAKA)