Efektivët e policisë këtë vit për të parën herë nuk do të marrin shpërblime për festat e funvitit. Këtë e raporton ‘’GSH’’ nga burime zyrtare parnë policisë. Po mungesa e shpërblimeve nuk prek vetëm policët, pasi asnjë nga administrata nuk do të marrë shpërblime. Duket se vetëm pensionistët dhe familjet në nevojë do të jenë ata që ‘’do t’iu buzëqeshë fati’’ nga bujaria e qeverisë.
Gjithashtu mësohet se deri në fund të ditës së sotme, do të përfundojnë pagesat për çdo punonjës së Policisë së Shtetit, të cilët kishin ende para pa marrë për sa u përket orëve shtesë, për orët suplementare, orët e natës, dietat, apo edhe për orët që kanë qenë në stadium gjatë ndeshjeve të futbollit.
“Deri në fund të ditës së nesërme (sotme) do të jenë likuiduar të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit dhe shumat e parave që ata kishin pa marrë do të kalojnë në llogaritë e tyre bankare”, thanë burimet për “Gazeta Shqiptare”.
Ndërkaq, po sipas këtyre burimeve, mësohet se shpërblim kanë marrë vetëm ata punonjës policie të cilët janë certifikuar me një “Certifikatë për Shërbime të Dalluara”. Në të gjithë vendin, mësohet se si shpërblim do të shpërndahen rreth 200 certifikata për punonjësit e policisë, ku vetëm në Tiranë janë shpërndarë 22 prej tyre.
Pak ditë më parë, ishte kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako i cili me rastin e festave të fundvitit organizoi një kokteil me punonjës të policisë dhe shpërndau 20 “Certifikata për Shërbime të Dalluara” dhe 2 “Certifikata të Karrierës”.
Këto dy të fundit iu dhanë punonjësve Zef Laska dhe Dashnor Xhixho. Ndërsa, në mesin e 20 punonjësve që morën si shpërblim “Certifikata për Shërbime të Dalluara” ishin Drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit, Altin Qato, si dhe Drejtori i Policisë Vendore Tiranë, Ervin Hodaj. (E.K/SHUPLAKA)