Nga Pëllumb Kulla
E vërtetë që unë kam thënë në intervista, që karakteret i nxjerr nga vetitë tona, por ajo, ime shoqe, harron të shtojë se në intervistat që përmend, kam theksuar se unë edhe i fryj ato veti, deri aty ku besohen.
Sot do të jetë e para herë që nuk do të fryj dhe nuk do të zmadhoj asgjë. Ama, do të tregoj me realizëm të saktë vetinë e saj karakteristike, vonesat!
Nuk e di se ç’është ajo pemë trotuari, qen në shëtitje, apo njeri, që i kujton asaj se ka harruar diçka kur sapo është nisur për në punë. Apo refleksi i ndonjë xhami të rrahur nga dielli në ndërtesën përballë? Apo mos është ai i famshmi lypësi i lagjes që gjendet në kryqëzim, ai lypësi që na përshëndet të gjithëve me emër, dhe na dërgon të gjithëve ne banorëve të bllokut, kartolina për Krishtlindjet? Nuk di se kush e sjell time shoqe në të, por ama ndodh, si një e një që bëjnë dy: pasi më thotë mirupafshim, unë jam i sigurtë që ajo do të rikthehet përsëri në ashensor, ngaqë ka harruar syzet, apo karikuesin, apo vetë Shkëlqesinë e Tij, celularin. Unë nuk e mbyll portën prapa saj. Se e di që do të kthehet.
Nga të njëjtët minuta që kalojnë para rishfaqjes te porta e apartamentit, unë e di që është kujtuar poshtë, në të njëjtin vend dhe e ka zgjuar i njëjti send a frymor.
Kthehet e merr sendin e harruar duke qeshur me veten, sikur vetja nuk është ajo, por një harraqe tjetër. Më ripërshëndet e më riputh, dhe niset e ripërfundon në riparaqitjen me vonesë në punë.
Ajo më siguron që arrin në vendin e punës tamam në kohë, por unë e di që gënjen. Sepse kur punonim bashkë, dikur në Fier, Vlorë a Tiranë dhe atje rregullisht, përjetësisht, më hynte e fundit në studion e provave të aktrimit dhe, e qeshur, shikonte gjithmonë orën e dorës. E shikonte orën që ne ta shikonim që e shikonte! Dhe aktorët e tjerë i shikonin edhe ata orët e tyre që i gjenin pikë për pikë tamam: nëntë e pesë! Dhe ia plasnin gazit e kjo e qeshur korale i zbuste gjërat dhe ajo dukej sikur gëzonte privilegjin e pesë minutëshit me dekret presidencial. Edhe kur ndërrohej ora diellore, pesëminutëshi i saj nuk ndryshonte. Të gjithë i shtynin akrepat e sahatëve gjashtëdhjetë minuta, Xhuli i shtynte vetëm pesëdhjetepesë! Dukej sikur i Gjithëpushtetshmi i kish dhënë asaj një jetë me pesë minuta mangut.
Kur e kërcënoja se pikërisht për të, nusen time, si drejtues i punës, unë do të detyrohesha të merrja masë disiplinore shembullore, ajo më kërcënonte se do të deklaronte në kolektiv të gjerë, që kjo vonesë e saj, ishte porosia e fshehtë e vetë bashkëshortit-regjisor, pra truku im djallëzor, që të shitesha parimori më i madh i rruzullit!
Kjo ishte gruaja ime! Ma shkriu vendosmërinë dhe vazhdoi të sajën.
Gruaja ime e dashur një jetë të tërë provoi t’i tregonte njerëzimit se njeriu mund të arrijë në punë fiks më nëntë, edhe kur niset nga shtëpia më nëntë e dhjetë!
U mësua ajo: qeshnin kolegët e saj të trupës të Vlorës, edhe pse ne e kishim shtëpinë bri teatrit të atjeshëm, qeshnin ata në Fier edhe pse në teatër ajo mund të vinte me një frymë dhe me një këmbë, si ato gocat që lozin me peta. Shokët e saj do të qeshnin edhe sikur ne t’i zhvillonim provat në dhomën time të pritjes: ajo, me tekst në dorë, do të dilte me vonesë nga kuzhina, apo nga dhoma e gjumit. Mbeti për t’u kujtuar ajo që u thashë një herë:
“Mbani mend, ëh, se unë mbase nuk do të jem atëherë, por kjo zonjë edhe në varrimin e saj, do të jetë me vonesë!”
Parvjet u ndala në Shqipëri nja dy muaj. Ajo pat mbetur në Nju Jork dhe mezi kish pritur kthimin tim. Më priti e etur për të ditur gjithçka dhe unë ende pa dalë nga aeroporti fillova t’i tregoj të rejat nga atdheu dhe pati se çfarë të lija për të treguar më shumë në ditët më pas.
Unë e vura poshtë ndryshimin kohor me Europën, u çlodha dhe takova shokë e miq. Pas një jave befas u përqëndrova dhe më ra në sy, që orët e varura nëpër muret e dhomave dhe ato të vendosura mbi komodina ishin që të gjitha nga njëzetepesë minuta përpara. Iu vura punës dhe në dy-tri dekika e ktheva gjithë akrepërinë aty ku duhej. Orët u vunë të tregonin kohën e saktë.
Kur zonjëza ime u kthye nga puna më pa me habi:
“Ti i ke vënë orët tamam?”
“Unë,” i thashë. “Ishin të gjitha njëzetepesë minuta përpara. Si shpjegohet?!”
“Shpjegohet se i kam vënë vetë ashtu”
“I ke vënë njëzet e ca minuta përpara vetë?! Përse?!
“Për të mirën e punës. Që të trembem, të llahtarisem dhe të nisem me ngut para kohe”
Unë nuk po u besoja veshëve.
“Moj grua, po më habit. Unë kam pesë ditë që kam ardhur dhe asnjë mëngjes nuk të kam parë të llahtarisesh nga orët!”
Ajo ngriti sytë nga qielli, sikur të paskej dëgjuar naivitetin më të madh të të gjitha kohërave.
“O Zot! Po si mund t’u trembkam?!” shfryu. “Unë e di më mirë se kushdo, që ato janë njëzetepesë minuta përpara!”