Në vijim të fjalës së tij, kryeministri Rama u ndal tek reformat që do të merren sa i takon infrastrukturës shëndetësore, ku ai bëri me dije se fokusi do jetë ndërtimi i një qarku rajonal në Fier dhe i 10 qendrave shëndetësore ekselence në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ai bëri të ditur se një godinë të re për sistemin e drejtësisë në Shqipëri është një tjetër projekt i qeverisë për vitin e ardhshëm.
I pyetur se si do të vazhdojë bashkëpunimi me FMN vitin e ardhshëm, kreu i Qeverisë u shpreh se FMN pati një rol të pazëvendësueshëm në procesin e daljes nga tuneli me marrjen e detyrës.
“Më keq se borxhi publik kemi deficitin që cënonte ekonominë e vendit. Sot faza kritike ka kaluar falë programit ndërkombëtar që është në fund të tij. Jemi mirëkuptuar me FMN që programi tjetër të ketë natyrë krejt të ndryshme nga programi masiv fiskal.”, ka bërë me dije kryeminstri.
Pyetjes së gazetarëve nëse janë këto masa elektorale që po ndërmerren në kuadër të zgjedhjeve, kryeministri iu përgjifj: “Pyetje me vlerë po besoj se as ju nuk dyshoni kush do i fitojë zgjedhjet e ardhshme. Ne nuk kemi asnjë arsye për të marrë masa për të afruar zgjedhësit me politika elektorale. Më lejoni t’iu them që është hera e parë që qeveria shqiptare nuk përgatit një buxhet paralektoral. Është një buxhet që ruan të gjithë parametrat e nevojshëm në funksion të ambicies tonë për të ardhmen. Se synimi ynë nuk është viti i ardhshëm, por shkon më larg. Detyra jonë është që rezultatet e reformeve t’i ndajmë.”
Një tjetër pikë ku gazetarët u ndalën ishte çështja e dekriminalizimit, ku Rama u pyet nëse mendon se kishte të drejtë Basha lidhur me pretendimin për dekriminalizimin.
“Unë e di përgjigjen por jam këtu për të dhënë përgjigjet e mia për ju e jo për Bashën. Por si përgjigje për të gjithë ata që kanë hedhur gurë, iu them se për mua procesi i dekriminalizimit ka përfunduar ditën kur miratuam ligjin. E kam neveritur atë regjim për shkak të gjuhetisë së shtrigave. Ligji është aty, nuk i jemi bërë e nuk i bëhemi pengesë. Vendimi i KQZ shembull kuptimplotë si përgjigje ndaj PD-së dhe drejtuesit të saj që tjetër thonë, tjetër bëjnë. T’u tregojnë shqiptarët që si ka mundësi kur vjen puna tek vetvetja ligji është një letër pa vlerë.”, deklaroi kryeministri.
Lidhur me origjinën e së ëmës, kryeministri pohoi se e vërteta është si familja e nënës së tij dhe shumë familjeve të tjera në Vuno të Himarës është se kanë origjinën e tyre nga Mirdita. “Nëse quhet kjo origjinë, po kam një pjesë origjine nga Mirdita.”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë u ndal edhe tek arritjet e qeverisë në sistemin shëndetësor, për të cilat tha se pavarësisht se nuk është bërë maksimumi, është bërë shumë nisur nga pikënisja.
“Nuk do të ketë mbulim universal të plotë të kujdesit shëndetësor. Ne kemi bërë një program qeverisës dhe si çdo program kemi një qëllim të përcaktuar. Vizioni ynë për kujdesin shëndetësor nuk ka ndalur por është konsoliduar. Premtimi ynë ende nuk është përmbushur. Sot e gjithë ditën sistemi është aty por ende ka diskutime. Për shërbimin shëndetësor universal duhen krijuar një sërë organizmash (përmend mjekun pa pagesë, tarifat minimale të kujdesit shëndetësor). Në vitin e ri 2017, 600 mijë njerëz do marrin falas ilaçet e parimbursushme siç marrin ato të rimbursuara, gjithashtu një sërë shërbimesh falas. Sa i përket mbulimit të plotë universal duhet të bëjmë dy gjëra nga zero: pasqyrë statistikore të konsoliduar të popullsisë; të kemi protokolle për çdo kurë që vihet në shërbim. Protokolle kostosh do të thotë që në çdo spital të ketë kosto uniforme. Kjo kërkon transformim të brendshëm që ka nisur. Nëse e shohim në raport me pikënisjen jemi drejt përmbushjes. Sa i përket investimeve janë shifra të nxjerra nga kontributet. Janë shifra reale pavarësisht propagandës dhe gënjeshtrave.”, theksoi ai.
“Sa i takon vendeve të punës, ka shtim të tyre në sektorin bujqësor. Jo vetëm krijimin e vendeve të reja por dhe nxjerrjen nga skllavëria të atyre që punojnë. Nga pikëpamja e punësimit kemi rritje, jo rënie, referojuni kujt të doni. Shifrën e papunësisë ne e kemi rivlerësuar siç premtuam. Nuk jam duke pretenduar se nuk ka problem të madh të papunësisë, por kemi rritje, natyrisht jo në përmasën që do të donim e duhej. Ashtu si një nga komponentët është mungesa e të kualifikuarve. Mungon krahu i kualifikuar i punës.”, u shpreh Rama duke u ndalur tek reformat e qeverisë kundër papunësisë në vend. (XH.A/SHUPLAKA)