Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka qenë sot i pranishëm në inaugurimin e urës së re për automjetet dhe këmbësorët në rrugën “Irfan Tomini”. Kjo projekt për të cilin Veliaj u shpreh se përfundoi pas pesë vitesh, lidh Bulevardin “Bajram Curri” me Bulevardin “Gjergj Fishta”.
“Siç e dini, ky ka qenë një projekt pezull prej 5 vitesh, ashtu si rruga e “Kosovarëve”, e shumë projekte të tjera të Njësisë 5. Pothuajse në çdo këmbë të urës kishte dalë një pronar që i ishte kthyer prona gjatë 8 viteve të ‘qoftë largut’ dhe na duhej të zgjidhnim disa nga këto çudirat shqiptare. Më vjen mirë që, jo vetëm kemi zgjidhur anomali të kësaj natyre, por i kemi dhënë komunitetit një urë me 4 korsi, me trotuare të mjaftueshëm. Na duhet që ta mirëmbajmë, ta ruajmë. Janë investime që bëhen me shumë pune dhe është shumë e rëndësishme që i gjithë komuniteti të ndihmojë për mirëmbajtjen e saj”, u shpreh Veliaj.
Duke iu referuar dhe Planit të Përgjithshëm Vendor të miratuar një ditë më parë, Veliaj u shpreh se parashikohen shumë investime të ngjashme, të cilat kërkojnë kohë pasi Tirana nuk ndërtohet për një ditë, megjithatë duhet të mbahet i njëjti ritëm. (XH.A/SHUPLAKA)