Nga Enton Abilekaj –
Aktivistët e AKIP (Aleancës kundër importimit të plehrave), diskutojnë me zë të ulët në këndin e një lokali. Zbukurimet përreth dhe këngët e Krishtlindjeve, nuk u bëjnë përshtypje. Flasin më zë të ulët, ndjekin me vëmendje tjetrin dhe nuk i lëvizin sytë, diskutojnë më solemnitetin që nuk është parë kurrë nëpër mbledhje qeverie apo parlament. Tani janë pak, por ky grup i vogël që mbledh të rinj çdo të enjte përballë Parlamentit, ka arritur të paktën të shtyjë futjen e plehrave në vend.
Nuk ishte kështu 3 vjet më parë. Atëherë kur në nëntorin e 2013, mijëra qytetarë u mblodhën përpara Kryeministrisë për t’i bërë rezistencë një vendimi të marrë në fshehtësi dhe në pabesi. Nuk ishte çështja vetëm tek armët kimike, por tek arrogance që një Qeveri e re po tregonte që në muajt e parë. U përpoqën me të gjitha mjetet, me të gjitha mediat që dispononin që të zbraznin bulevardin, por nuk ia arritën. Ajo ishte një fitore e bukur, por edhe e fundit. Ajo ishte fitorja që e bëri Qeverinë të mendonte si të ndërhynte në afat të gjatë për të mos patur më protesta të tilla.
Kështu nisi 2016. Me një protestë tjetër. Këtë herë kundër Bashkisë që kishte vendosur po në fshehtësi dhe në pabesi të ndërhynte me ndërtim në Parkun e Liqenit. Të njëjtët protagonistë, të njëjtët protestues, u nisën të mbronin pasurinë publike, por këtë herë ata i kishin marrë masat. Filloi me dhunën fizike të policisë, vazhdoi me dhunën verbale të kryetarit të Bashkisë, pastaj me bllokimin e mediave që këtë herë ishin të gjitha nën kontroll. Një strategji e shkatërrimit në masë të qëndresës publike. Media, polici, presion publik me antimitingje dhe para për të përçarë protestuesit. Protesta dështoi. Një nga aktivistët e njohur, përshëndeti më një foto nga aeroroporti ku lajmëronte largimin nga Shqipëria. Një tjetër priste të dëgjonte emrin tek lista e donacioneve të Bashkisë. Emrin ia dëgjuan të gjithë. Të tjerët vazhdonin të ngrinin zërin ne rrjetet sociale. Pa rezultat. Kishte ardhur fundi i qëndresës. Parku u betonizua, kundërshtimet u fashitën.
Dukej si pushtim. Reaguam si në pushtim. Një pjesë u bë me pushtuesin për të përfituar, një pjesë mori rrugët e Europës për të shpëtuar, dhe një pjesë e vogël po rri ende për të luftuar. Kështu ka ndodhur gjithmonë në histori. Që nga nënshtrimi ndaj osmanëve deri në 8 dhjetor 1990, të gjithë pushtuesit të huaj dhe shqiptarë, gëzonin nënshtrimin pa kushte. Pas dhjetorit ’90 shqiptarët ringjallën protestën, qëndresën, vetëdijen demokratike. Greva urie, protesta masive popullore, madje edhe konfrontime fizike dhe përplasje me armë kanë përdorur shqiptarët për t’u mbrojtur nga qeveritë e korruptuara dhe të paafta. Deri tek protesta e pranverës 2016, tek Liqeni, ku u krye vrasja më e dhimbshme e postkomunizmit, u vra Qendresa. Pas asaj, Liqeni vazhdon të ndërtohet, betoni shtohet, ne Sheshin Skendërbej ndërtohen 3 kate parking pa leje, në Zharëz burrat e fshatit janë ngujuar në grevë urie, po vetëflijohen për të shpëtuar jetën e fëmijëve, por “tërmetet” vazhdojnë pa të keq, projektet e inçeneratorëve që ushqehen me plehrat e importuara po bëhen masive, projekti për ta shndërruar Tiranën përfundimisht në pyll betoni u miratua. Qëndresa është vrarë. Protestohet vetëm nga telefoni i dorës, në rrjetet sociale. Lideri i opozitës i quan protestat të vjetruara. Tek tuk ndonjë zë që ende ka akses në ekrane kërkon reagim nga publiku. Portalet dhe rrjetet sociale janë e vetmja hapësirë për t’u ankuar pa asnjë efekt. Në mediat vendase greva e urisë nuk gjen vend as pas festës së 30-të të Erjon Veliajt për Vitin e Ri. Mediat e huaja vazhdojnë të flasin për rekordet e reja të Shqipërisë, korrupsionin dhe emigrimin.
Aktivistët e AKIP vazhdojnë të takohen në të njëjtin kënd modest të lokalit në Tiranë. Deri një ditë, kur pronari i lokalit të shohë përtej modestisë dhe thjeshtësisë së tyre, rrezikun që t’i mbyllet lokali me një gjobë që nuk mund ta shlyejë gjithë jetën. Atëherë, shpresa e vetme për ringjalljen e qëndresës, e përmbledhur në 6 gra e burra idealistë, nuk do të ketë as strehë. Sytë tanë do të shohin beton në vend të qiellit dhe do të thithin karbon ne vend të oksigjenit. Ndërsa numri i azilantëve do të arrijë një rekord të ri. Lamtumirë 2016! /Shkruar për SyriI.net/