Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ia ka shuar shpresat Partisë Demokratike të Kosovës për një rikthim të mundshëm në këtë parti. Ish-zyrtari i lartë i PDK’së thotë se për sa kohë që është në politikë, nuk do të ketë asnjë opsion tjetër, përveç Nismës për Kosovën.
Nisma, sipas tij, është partia e vetme në Kosovë, e cila ka dyfishuar numrin e votave.
Sondazhi më i fundit, që sipas Limajt është bërë nga një organizatë kredibile që merret me sondazhe, e nxjerr partinë qe ai drejton me rritjen më të madhe të votave.
Në një intervistë për Indeksonline, Limaj ka thëne se është vullnet i AAK’së dhe Nismës qe këtij koalicioni t’i bashkohet edhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit.
Ai ka paralajmëruar se viti 2017 do të jetë vit i sfidave të mëdha, por është shprehur i bindur se në vitin të cilin kemi hyrë do të largohet nga pushteti qeverisja aktuale.
Duke komentuar rezultatin zgjedhor në Drenas, ai ka thënë se për herë të parë Nisma e ka hapur konkurrencën në këtë komunë dhe se kjo parti është fituese morale e zgjedhjeve.
Ish-komandant “Çeliku” e ka konfirmuar lajmin e publikuar ditë më parë se ka kërkuar dëmshpërblim pasi është shpallur i pafajshëm në rastin “Kleçka”. (E.K/SHUPLAKA)