Gjatë fundit të vitit të shkuar Ministria e Brendshme dhe ministri Saimir Tahiri shpalli nismën “Duaj, mos gjuaj”, me anë të së cilës i bëhej thirrje shqiptarëve të dorëzonin armët që posedonin ilegalisht.
Vetëm gjatë periudhës nëntor-dhjetor të vitit që lamë pas, në komisariatet e policisë kanë telefonuar ose janë paraqitur vullnetarisht 23 persona, të cilët kanë dorëzuar armë të llojeve të ndryshme. Dy dorëzime janë regjistruar në kryeqytet, ndërkohë që armë janë mbledhur edhe në Shkodër, Berat, Fier, Gjirokastër dhe Vlorë. P
Në të njëjtën periudhë, ka patur edhe nga ata që nga frika se do të ndiqeshin penalisht, kanë zgjedhur një tjetër mënyrë për të hequr dorë nga armët. Në 13 raste të tjera uniformat blu kanë gjetur armë zjarri në kazanet e plehrave, armë që besohet se janë lënë nga qytetarë të painformuar mirë mbi proceduarat e dorëzimit, raporton Top-Channel.
Sipas projektligjit të qeverisë, i përfshirë në amnistinë e fundvitit, përjashohen nga ndjekja penale dhe ata persona që dorëzojnë vullnetarisht një armë deri në datën 30 Prill 2017.
Lloji më i shpeshtë i armëve që mbajnë shqiptarët është automatiku dhe pistoleta, por nuk mungojnë as pushkët e gjahut, të cilat një pjesë janë pa leje.
Që prej vitit 1997, pas hapjes së depove ushtarake, mijëra shqiptarë kanë armë në banesat e tyre, të cilat shpeshherë janë kthyer në arsye për krime të ndryshme brenda familjes dhe jo vetëm. (A.R/SHUPLAKA)