Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka dhënë informacion lidhur me qarkullimin rrugor në akset kombëtare, ku në disa prej tyre qarkullimi është i detyrueshëm me zinxhirë për shkak të trashësisë së konsiderueshme të borës ndërsa në disa të tjera qarkullimi me zinxhirë është i pjesshëm.
Ulja e ndjeshme e temperaturave e shoqëruar me reshje dëbore ka shkaktuar situatë problematike në akset rrugore në rajonin e Pukës dhe të Kukësit, në Dibër, e Bulqizë.
Njoftohet se për shkak të shtimit të intesitetit të borës gjatë orëve të mbrëmjes në veri të Shqipërisë, mjetet borëpastruese kanë nisur menjëherë punën për hedhjen e kripës në akset rrugore me qëllim parandalimin e aksidenteve.
Vështirësi qarkullimi paraqitet në zonën e Gollobordës, në Steblevë. Njoftohet se në Qarkun e Elbasanit rrugët janë të kalueshme. Situata paraqitet jokritike edhe në Qarkun e Korçës, ku nuk ka pasur reshje bore dhe qarkullimi është kryer normal.
Në aksin Ura e Cerenecit – Stebleveë trashësia e dëborës arrin në 15-21 cm qarkullimi me zinxhirë,
Në aksin Fushë Arrëz – Fushë Dukagjin trashësia e borës arrin në 30-50 cm borë, qarkullimi me zinxhirë
Në aksin K/Hadroj – Qafë Benë qarkullimi me zinxhirë,
Në aksin Laç – Vau i Dejës – Fushë Arrëz qarkullimi me zinxhirë
Në aksin Qafë Bualli – Krastë qarkullimi pjesërisht me zinxhirë,
Në aksin Kuben – Vasie trashësia e borës arrin në 25 cm, qarkullimi pjesërisht me zinxhirë
Në aksin Peshkopi – Qafë Drajë qarkullimi pjesërisht me zinxhirë
Për shkak të borës dhe ngricave në rrugë, mësohet se Policia Rrugore është vënë në gatishmëri duke marrë masa parandaluese. Lajmi u bë me dije nga drejtori i Policisë Rrugore, Ardi Veliu. (XH.A/SHUPLAKA)