Dy ditë pas vetëvrasjes së 22-vjeçarit Estref Halili në burgun e Rrogozhinës, ka reaguar shoku i tij i qelisë.
Fazli Mehaj ka dhënë një tjetër dëshmi që saqon se pse i riu shkoi drejt këtij akti tragjik.
Shoku i qelisë tregon se 22-vjeçari ishte shumë i mërzitur gjatë ditëve të fundit pasi kishte frikë se mund të dënohej sërish edhe tre vite të tjera burg si herën e parë. Madje tregon edhe momentet e fundit që ka kaluar me të.
“Çastet e fundit me të, ishin deri në pasdite. Pas orës 6 ditën e martë, ishim në korridor po pinim cigare, ishte i mërzitur për dënimin, kishte frikë se dhe 3 vite burg si herën e parë. Hyra në dhomë, ai hyri në banjë për të bërë dush. Pas pak shkova në banjë, i rashë derës, po nuk përgjigjej. Nuk fliste njeri, dera ishte gjysmë e thyer, pashë këmbët e varura, e theva derën. I dhamë ndihmë, por ishte e pamundur. E kam zbuluar unë i pari qe kishte vdekur. Pasi e nxorëm trupin, erdhën gardianët. Këtu nuk të ndihmon njeri, nuk pyesin për ne. Janë gjëra që mund të na ndodhin të gjithëve, nuk ka asnjë kusht. Jemi të mbuluar nga lagështira, na mbushet dhoma me ujë”, rrëfen Mehaj.
Estref Halili ndërroi jetë më 3 janar, pasi u gjet i vetëvarur në burgun e Rrogozhinës.
Sipas policisë, viktima është Estref Halili nga fshati Kolonjë i Lushnjes.
Ai ishte ndaluar nga Policia e Fierit pasi gjatë kontrollit në makinën e tij ishte gjetur një dozë marijuanë dhe një thikë. Më datë 26 dhjetor ai ishte transferuar nga praburgimit në komisariatin e Fierit në burgun e Rrogozhinës, ku edhe humbi jetën tragjikisht.
Akoma nuk dihen shkaqet e ngjarjes, ndërsa policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet. (D.D/Shuplaka)