Pas arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë, ka reaguar ashpër edhe raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Ulrike Lunaçek.
Sipas saj, Bashkimi Europian duhet të ushtrojë presion mbi Serbinë për të tërhequr urdhër arrestet e vjetra.
“Mbajtja e një urdhër arresti ndërkombëtar të vitit 2004 nga Serbia, e cila është në një dialog të moderuar të BE-së me Kosovën, është krejtësisht e papranueshme.
Në të njëjtën kohë është e vështirë për të kuptuar pse Franca po zbaton këtë urdhër arrest, pasi është një shtet që ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës një ditë pas shpalljes së saj dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera me Kosovën”, deklaron Lunaçek.
Përveç kësaj, ajo i bën thirrje Përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, si dhe qeverive të 28 shteteve anëtare të BE-së, që të mbajnë qëndrim të qartë ndaj Serbisë, pasi urdhër arrestet e vjetra si këto duhet të tërhiqen.
Haradinaj u arrestua dje në Francë, për shkak të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia që në vitin 2004. (D.D/Shuplaka)