Me sa duket, temperaturat e ulëta dhe i ftohti i madh kanë shënuar viktimën e parë në Shqipëri. Nuk është një i sëmurë kronik, apo i shtruar në ndonjë nga spitalet. Është Beni qytetari endacak i lagjes 17 në Durrës ka ndërruar jetë gjatë natës që lamë pas, për shkak të temperaturave të ulëta.
Trupi i tij është gjetur i ngrirë rreth orës 7-8 të këtij mëngjesi. Ai ishte i pastrehë por e gjithë lagja 17 në qytetin bregdetar e njihte dhe e ndihmonte. Një prej banorëve ka raportuar ngjarjen për ‘’JOQ’’, ndërsa i bën apel bashkisë së Durrësit të marrë masa për të pastrehët që shikojnë vdekjen me sy në temperatura të cilat shkojnë deri në -10 gradë, e jo t’i lejë njerëzit e gjorë të vdesin në mëshirë të fatit.
Mësohet se viktima është i moshës rreth 30-35 vjeç.
“Sot në mëngjes në Durrës, në lagjen 17 është gjetur një i pastrehë i vdekur nga të ftohtët. Ai quhej Beni, rreth të 40-ave. Shumë veta në Durrës e njohin. Si do i behët për të gjithë të pastrehët e tjerë që jetojnë në këto netë të ftohta që temperaturat shkojnë deri në -10? Apo do presim sa të vdesin që të gjithë? A mos ndoshta Bashkia Durrës duhet të marrë masa? Këtë lajm sapo e mora vesh sepse ky Beni rrinte vetëm tek kjo lagje dhe gjithmonë e ndihmoja duke i dhënë bukë ose ndonjë 50 lekëshe dhe rroba. Sapo ma dhanë lajmin dhe është gjetur i vdekur nga ora 7- 8 e mëngjesit. Do ju lutesha ta postonit që të bëhet diçka me të pastrehët e Durrësit”, – shkruan qytetari. (E.K/SHUPLAKA)