Armando Sadiku është rikthyer te Lugano dhe aty rigjeti Tramexanin. Në një rrëfim për një të përdithsme sulmuesi kuqezi ka rrëfyer prapaskenat e merkatos dhe ofertat që ka refuzuar. Gjatë fjalës së tij për një të përditshme, sulmuesi tregon si e bindi Tramexanin dhe atë që i ka vënë vetes synim në këtë periudhë të kampionatit. Ai ka treguar se kishte tre oferta të reja dhe për Tramxanin do të shënoj 10 gola.
Intervista:
Po riktheheni te Lugano, ku jeni larguar si hero me ndryshimin që këtë herë do të jetë edhe Tramexani…
Kam pasur një dëmtim që më la jashtë për një periudhë të caktuar kohe dhe tashmë kisha nevojë për një ekip që të luaja të gjitha ndeshjet. Jo vetëm kaq, por doja një kampionat të rëndësishëm. Unë Luganon e njoh shumë mirë, për më tepër që tashmë është edhe trajneri Tramexani me të cilin kemi punuar prej pesë vitesh me Shqipërinë. Unë e di se si funksionojnë gjërat në këtë klub dhe për mua do të jetë diçka shumë e mirë që të ambientohem shpejt. Nuk do të humbas kohë dhe do të jem menjëherë në stërvitje për të rigjetur formën time.
A keni pasur oferta të tjera në këtë periudhë?
Po. Nuk kam preferuar të largohem nga Zvicra, sepse do të ishte e vështirë të ambientohesha. Këtu i njoh të gjithë, që nga trajneri, drejtuesit dhe lojtarët. Gjatë këtyre dy ditëve kam pasur tri skuadra që më kanë kërkuar. Një skuadër e huaj dhe dy ekipe të tjera në Superligën zvicerane.
Nga cili kampionat ishte oferta?
Nga Turqia. Ishte një ekip i Superligës turke që ka insistuar deri para dy ditësh. Di gjithashtu që trajneri i Vaduzit më ka kërkuar të rikthehem prapë. Madje, ai më ka ofruar edhe kushte shumë herë më të mira sesa gjashtë muajt kur isha pjesë e tyre.
Pse u bindët për t’u rikthyer te Lugano?
Kam mësuar që presidenti i Luganos më ka dashur që nga muaji nëntor dhe tashmë vonesa ka ardhur prej disa kërkesave që unë kam pasur. Me ardhjen e Tramexanit, gjithçka u bë e kryer. Menaxheri ka realizuar gjithçka dhe tashmë jam gati që të rikthej Armandon e dikurshëm. Dua të jem edhe një herë ai që shënoja rregullisht si te Vaduzi, apo në Europian.
Si ju bindi Tramexani?
Me Paolon njihemi prej pesë vitesh te Shqipëria. Ai më njeh dhe e di çfarë tiparesh kam, ndaj dhe nuk do të jetë e vështirë që të kuptohemi. Ai më tha që dyert e skuadrës i kisha të hapura për të luajtur edhe një herë tjetër në Superligë. Më tha vetëm: ‘Të dua në ekip. Do të kesh çdo gjë në dispozicion që të na ndihmosh neve dhe ti vetë të rigjesh formën më të mirë’.
Cili është synimi juaj personal për këtë periudhë?
Përveçse të ndihmoj ekipin që të qëndrojë në elitën e futbollit zviceran, dua që të shënoj sa më shumë. Dua të rifitoj formën time më të mirë dhe besoj që këtu do ta kem më të lehtë se kudo tjetër, pasi dëmtimi që kam kaluar nuk ka qenë i lehtë.
Një numër golash si objektiv?
Të jesh sulmues, nuk mjaftohesh asnjëherë me gola. Mirëpo, dua të shënoj të paktën dhjetë gola me Luganon. (J.V/Shuplaka)